Arbëri

Mungojnë drejtuesit e ZKA-së e AKP-së, shtyhet shqyrtimi i raportit të auditimit për qiratë

Mosprezenca e auditores së përgjithshme, Vlora Spanca dhe kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare e Privatizimit (AKP), ka bërë që Komisioni për buxhet të mos e shqyrtoi raportin e auditimit për të “Hyrat nga qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”.

Kjo pikë e rendit të ditës u vendos që të shqyrtohet në mbledhjen e së hënës për të qenë të pranishëm edhe ata.

Kërkesa për shtyrje të kësaj mbledhje erdhi nga deputetët e opozitës dhe pozitës të cilët u shprehën se pa prezencën e krerëve të këtyre institucioneve nuk duhet të vazhdojë diskutimi për këtë raport.

Zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezard Halilaj, tha se në takimet kur diskutohen raportet e auditimit nuk merr pjesë auditorja e përgjithshme, duke shtuar se praktikë është të marrin pjesë ekipet që për së afërmi kanë qenë pjesë e auditimit.

Ndërsa, anëtari i Bordit të AKP-së, Mentor Hyseni, theksoi se kryesuesi i AKP-së nuk është i pranishëm për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa zëvendëskryesuesja e Bordit të AKP-së ka treguar se për shkak te disa takimeve tjera nuk ka mundur të jetë prezentë.

Zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezard Halilaj tha se nga raporti i aludimit konkludon se AKP-ja nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për të menaxhuar. / KP