Arbëri

Shtetet e ndryshme, përfshirë Kosovën, mobilizohen për ndihmë Turqisë e Sirisë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme tremujore në dhjetë provincat e prekura më së shumti nga tërmeti prej 7.8 shkallësh që goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë.

Erdogani ka thënë se numri i viktimave në Turqi ka shkuar në 3.700, duke ngritur numrin e përgjithshëm në mbi pesë mijë, përfshirë edhe ata në Sirinë veriore.

Ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës janë mobilizuar vullnetarisht për të ndihmuar dy vendet e goditura nga tërmeti që rrafshoi më shumë se gjashtë mijë ndërtesa vetëm në Turqi.

Katari tashmë ka hapur një urë ajrore, duke nisur më shumë se 100 tonelata ndihma. Trupat ushtarake dhe civile të Katarit kanë ngarkuar tenda, ushqime dhe batanije për banorët e mbetur pa kulm mbi kokë.

Ndërkohë, kontingjenti kërkimshpëtues i Forcës së Sigurisë së Kosovës është pritur me duartrokitje në aeroportin e Adanasë në Turqi, pasi Kosova vendosi t’i dërgojë një ekip ushtarësh si pjesë e operacionit ndërkombëtar humanitar në Turqi, pas tërmetit shkatërrues të së hënës.

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se skuadra e kërkim-shpëtimit dhe e ndihmës shtetërore e dërguar nga Shqipëria, ka mbërritur në Turqi në mision humanitar.

Franca ka dërguar 75 pjesëtarë të njësiteve të sigurisë civile në zonat e tërmetit për të ndihmuar autoritet turke. Ata janë nisur nga aeroporti i Parisit. Atyre do t’u bashkohen edhe 65 pjesëtarë të ekipeve të zjarrfikësve.

Mbi 50 mijë pjesëtarë të ekipeve ruse të kërkim-shpëtimit kanë zbarkuar në Siri për të ndihmuar përpjekjet për ndihmë autoriteteve vendase, të cilët edhe ashtu po përballen me mungesë kapacitetesh për shkak të ndikimit shkatërrimtar të luftës civile 12-vjeçare.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mbajtur një minutë heshtjeje për viktimat e tërmeteve në Turqi dhe Siri. Shefat e diplomacive të Gjermanisë dhe Armenisë kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për ndihmë Sirisë dhe Turqisë.