Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka treguar në pesë pika se si duhet të jetë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij marrëveshja duhet të jetë përfundimtare e jo e ndërmjetme, sepse ndryshe Hotia ka vlerësuar se mbetet problem i hapur për të ardhmen dhe kjo e rrit pasigurinë politike në gjithë rajonin.
Hoti ka theksuar se marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve.
Sipas ish-kryeministrit marrëveshja duhet të përmbajë garanci ndërkombëtare, ku ka theksuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrin përsipër obligime të caktuara që burojnë nga marrëveshja, siç ka thënë, në veçanti lidhur me integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Hoti ka thënë se marrëveshja duhet të jetë për normalizim të marrëdhënieve dhe ku adresohen të gjitha çështjet mes dy vendeve bazuar në standardet evropiane të fqinjësisë së mirë.
Dhe pika e fundit që e ka renditur Hoti është që marrëveshja me Serbinë duhet të jetë për njohje reciproke.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.