Arbëri

Po kërkohet shkarkimi i bordit të KPMM-së, dyshime se u dëmtua për 9 mln euro buxheti i shtetit

Descriptive Text

Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minierale (KPMM) po dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej nëntë milionë eurosh.

Për këtë arsye Komisioni parlamentar për Ekonomi në janar i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e këtij bordi.

Kjo nismë, që është iniciuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, që është anëtar i Komisionit për Ekonomi.

Rekomandimin për shkarkim e ka mbështetur edhe kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, por që kritikon Vetëvendosjen se ky bord është emëruar pikërisht nga Qeveria aktuale.

Deputeti Armend Muja thotë për KosovaPress se Komisioni cilëson se bordi i KPMM-së ka bërë shkelje të Ligjit për miniera dhe minerale, dhe shton se anëtarët e bordit përmes veprimeve ose mosveprimeve, qëllimisht apo nga neglizhenca, i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës në dobi të një kompanie nga Shqipëria.

"Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Kosovës ka rekomanduar në mbledhjen e kaluar të shkarkohet bordi i Komisionit te Pavarur për Miniera dhe Minerale, për shkak se ka pasur shkelje. Ne e kemi gjykuar se ka pasur shkelje të Ligjit për miniera dhe minerale, dhe anëtarët e bordit përmes veprimeve ose mosveprimeve, qëllimisht apo nga neglizhenca, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, që ne i gjykojmë në vlerë prej nëntë milionë eurosh dhe për dobi të një kompanie e cila ka qenë nën pronësi të një qytetari nga Shqipëria”, thotë ai.

Muja, po ashtu po dyshon se ka pasur shkelje edhe të Udhëzimit Administrativ për rentën minerare.

“Në këtë rast ka pasur moszbatim të Udhëzimit administrativ për rentën minerare. Pra, auditori i brendshëm i këtij komisioni ka gjetur që ndërmjet vitit 2011 dhe 2021, ndërmarrja nuk ka raportuar sipas udhëzimit administrativ. Po ashtu, KPMM e ka themeluar një komision profesional për ta verifikuar atë gjendje dhe ky komision saktësisht ka gjetur se që nga viti 2011 ndërmarrja nuk ka raportuar sipas detyrimeve që kanë qenë në kuadër të Udhëzimit administrativ për rentë minerare. Çuditërisht gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë në pushim, gjatë verës, janë mbledhur prapë dhe ia kanë hequr atë detyrim pa marrë ndonjë shpjegim”, thekson Muja.

Ndërsa, deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala thekson se bordi, është i involvuar në disa situata të kundërligjshme.

"Para se të jap mendimin e fundit për këtë vendim të mazhorancës, ky bord ka ardhur si rekomandim direkt i kryeministrit dhe atëherë e kemi ngritur shqetësimin që ndërhyrjet e ekzekutivit, gjegjësisht të politikës në rregulloret e pavarura janë të papranueshme. Ka qenë dhe është bord të cilin e ka zgjedhur direkt Albin Kurti në zyrën e tij dhe tashmë parimisht është treguar që bordi ka qenë i papërgatitur, i paaftë, i involvuar në shumë situata të cilat nuk ka menaxhuar sipas ligjit dhe rregullit. Ditëve në vijim do të informoheni saktësisht për veprimet që komisioni dhe parlamenti do të merr për bordin. Por, dihet se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale po goditet rëndë si sektor bazik dhe rregullator i industrisë dhe i gjithë përpunimit të mineraleve në Kosovë", thekson Shala.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e Komisionit për Ekonomi, Valentina Bunjaku, deputete nga LDK, nuk po pajtohet që të shkarkohen të gjithë anëtarët e këtij bordi.

Deputetja Bunjaku po kërkon që dy anëtarët tjerë të Bordit, që kanë punuar për interesat e shtetit, në këtë rast për mosfaljen e rentës minerare, të mos shkarkohen.

"LVV vetë e ka emëruar këtë bord dhe në atë bord kanë qenë militantë të LVV-së dhe ata të cilët kanë qenë më herët pjesë e bordit. Në këtë rast dy kandidatë kanë votuar kundër faljes të rentës minerale dhe të tre kanë votuar për. Në këtë rast LVV ka marrë vendim që të shkarkohet i tërë bordi. Realisht nuk mund të jenë të barabartë dy të cilët kanë votuar për të mos falur rentën minerale, ndërsa tre kanë votuar për faljen e rentës minerale dhe realisht duhet dalluar e mira prej të keqes. Këtu është dallimi dhe e keqja e LVV-së që nuk mundet ta dallojë të bardhën prej të zezës. Në këtë rast vetë e kanë emëruar bordin dhe vetë e kanë sjellë, do të thotë komplet shkarkimin e bordit, gjë që për neve si LDK është e papranueshme. Sepse bordi duhet te shkarkohet një nga një në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe duhet të shkarkohen ata të cilët e kanë shkel ligjin dhe ata të cilët nuk i kanë zbatuar udhëzimet administrative dhe ligjet në fuqi. Ndërsa këta të dy që kanë votuar kundër faljes nuk duhet të jenë të barabartë me ata të cilët kanë votuar për falje”, tha Bunjaku.

Në dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur bordin e KPMM-së me këtë përbërje: Selvete Grajqevci Pllana kryesuese e bordit, Jahir Gashi anëtar, Gani Kastrati anëtar, Gani Maliqi anëtar dhe Rrezarta Pushkolli Makolli anëtare.

Kuvendi i Kosovës pati në rend ditë në seancën e fundit, të enjten, shkarkimin e këtij bordi, por për shkaqe procedurale me kërkesë të LVV u hoq kjo pikë nga rendi i ditës. Ky rekomandim i Komisionit për Ekonomi pritet të shqyrtohet në një seancë tjetër të Kuvendit./KSP