Arbëri

Gashi: Pavarësisht gjuhës jo të duhur të SHBA-së, Qeveria duhet të punojë ngushtë me të

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë përdorur gjuhë të duhur karshi Kosovës së fundmi, por ka këmbëngulur se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të gjejë formën se si të punojë ngushtë me ta.

I ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, Gashi ka thënë se i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është pika referuese në institucionet amerikane për rajonin e Ballkanit.

“Nuk më ka pëlqyer mua, nuk i ka pëlqyer komunitetit këtu gjuha që ka përdorur Departamenti i Shtetit dhe Escobari ndaj kryeministrit Kurti. Nuk është gjuha e duhur, mirëpo duhet ta kuptojmë që ky individ [Escobar] po merret më së shumti me Kosovën për momentin. Me gjithë kritikat për këtë qasje, Qeveria duhet ta gjejë formën se si të punojë ngushtë me SHBA-në për ta tejkaluar këtë gjendje”, ka thënë ai.

Për formimin e Asociacionit, Gashi ka thënë se Kurti ka bërë hap përpara me prezantimin e gjashtë kushteve të enjten në Kuvend. Për gjashtë kushtet e Kurtit, Gashi ka thënë se janë të një pozicioni të rreptë të kryeministrit.

“Ka të drejtë që e kërkon njohjen eksplicite. Këtë duhet ta kërkojë ai, Qeveria dhe opozita, që të mbetet temë aktuale. Mendoj që ngërçi është te njohja eksplicite, jo tek Asociacioni. Pikat e tjera tregojnë se si mund të krijohet Asociacioni. Prezantimin e kushteve e kam parë si gatishmëri për të diskutuar më afër për këtë çështje”, ka shtuar Gashi.

Ai ka thënë se SHBA-ja po pret nga Kosova të jetë më konkrete në formën se si e do Asociacionin.

“Me një paralajmërim serioz dhe me hapat e duhur, SHBA-ja mund ta mundësonte dakordimin e marrëveshjes”, ka shtuar Gashi.

Sipas Gashit, SHBA-ja dëshiron ta mbyllë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë pasi e ka fokusin tek Ukraina, dhe “nuk dëshiron t’i merret vëmendja nga atje”.

Gashi ka thënë se Serbia nuk është në nivelin e Kosovës sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në. Ka theksuar se SHBA-ja e ka partnere më të fortë Kosovën, së bashku me Shqipërinë, në Ballkan.

Ai ka thënë se duhet të këmbëngulet për garanci në formimin e Asociacionit.

“Asociacioni duhet pasur statut si një lloj OJQ-je që ndihmon komunat në partneritet”, ka thënë Gashi.