Arbëri

Demolli: Kurti po përpiqet t’ia ndërrojë emrin “Zajednicës” pasi i lidhet me figurën politike

Descriptive Text

Donjeta Demolli nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po përpiqet t’ia ndërrojë emrin “Zajednicës”, pasi sipas saj, ky term u përdor nga ai për ta rritur rezistencën.

Sipas Demollit, Kurti u ngrit në aspektin politik nëpërmjet kësaj kauze, që tash synon t’ia ndërrojë emrin në diçka tjetër, por me rezultat të njëjtë.

“Ndryshimi i emrit nga ‘Zajednicë’, e quante të tillë për ta bërë më të urrejtshëm, pra, përdorimi i një termi në gjuhen serbe e rikthen qytetarin shqiptar të Kosovës në ankthin e përjetimit të luftës. Ai (Kurti v.j.) e përdori këtë term për ta popullarizuar rezistencën. Sot po kërkon nga Asociacion të quhet disi ndryshe, po e kërkon një emër tjetër sepse emri është i lidhur ngushtë me figurën politike të kryeministrit. Nuk e di nëse ka ndonjë emër që e përshkruan Kurtin më shumë se kundërshtimi i Asociacionit. Çështja e Asociacionit është se përmbajtja apo gjërat që e përbëjnë do të mbeten të njëjta”, ka thënë ajo të enjten në Interaktiv të KTV-së.

Demolli u shpreh se Kurti do t’i harrojë gjashtë kushtet e vendosura për Asociacionin, siç i ka harruar “kushtet para zgjedhjes së tij”.

“Ai thoshte se s’do të shkojmë në dialog pa u zbardhur vrasjet dhe pa na njohur Serbia. Sot ato kushte janë harruar. Në qershor i pati disa kushte të tjera. Nga CEFTA në SEFTA. Tha që vendet duhet të kenë nga një deklaratë që mossulm ndaj njëra-tjetrës, se duhet të ketë reciprocitet. Të gjitha këto kushte s’janë më. Ideja e Kurtit, që pavarësisht qëndrimeve të paraqitet i pa kompromis, pasohet me veprime minimale, edhe pse premtimet janë maksimale”, ka thënë tutje ajo.

Zyrtarja e PSD-së ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë politikbërës, e problematike, sipas saj, do të jetë pushteti politik, e jo ai ekzekutiv.

“Asociacioni do t’i koordinojë komunat serbe në të gjitha proceset e rëndësishme që kërkohen dhe mund të jetë kontribut në destabilizimin e vendit. Për ne, edhe motivi i krijimit është problematik. Kujtojmë para pak kohe flisnim për integrim të serbëve nëpërmjet komunikimit me serbë lokalë, e tash kemi një kërkesë që nuk është OJQ. Niveli i këtij organizmi është kantonal, regjional, sa është në përputhje kjo me Kushtetutën dhe ku do t’i gjejë referencat për këtë. Kjo e bën shqetësues. Shenjat janë të atilla që Serbia do të vazhdojë të dirigjojë komunitetin serb nga ky mekanizëm që po bëhet realitet. Kushti te njohja reciproke, nëse e lexojmë drejt, po i referohet planit franko-gjerman. Pritet një njohje e tërthortë, por jo njohje me notë verbale”, deklaroi Demolli.

Demolli ka thënë se ka presion ndaj palës kosovare në procesin e dialogut me Serbinë, por ky presion, siç tha ajo, nuk nisi rastësisht.

“S’është e lehtë që pala kosovare të jetë në një proces të tillë, përballë një presidenti të tillë, por na intereson përgjegjësia dhe kompetencat e palës kosovare. Ekziston një presion më i madh ndërkombëtar, por ai ka përfunduar duke u rritur. Nuk ka filluar ashtu. Janarin e 2022-s, SHBA-ja zgjodhi përfaqësuesin e tyre për Ballkanin Perëndimor, që deklaratën kryesore e pati ‘ne jemi për çfarëdo marrëveshje që palët dialoguese do të pajtohen’. Këtu filloi, me qasje shumë të hapur, pa presion, derisa e bashkësisë ndërkombëtare ishte e hapur”, ka deklaruar Demolli.

Sipas PSD-së, dialogu ka nisur me qasje të gabuar dhe një marrëveshje finale pa njohje reciproke, nuk do të ishte e vlefshme për Kosovën.

Të enjten në seancën e Kuvendit, kryeministri Kurti prezantoi gjashtë kushte nën të cilat u shpreh se do të pranonte formimin e Asociacionit. Kushtet që përmendi ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën, të ndërrojë emrin, të mos jetë monoetnik, të mos ketë kompetenca ekzekutive, të drejtat e pakicave të kenë parimin e reciprocitetit, të shuhen strukturat ilegale të Serbisë, që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale e të zbatohet pas njohjes e që Serbia t’i tërheqë letrat dërguar shteteve mosnjohëse në BE për të kundërshtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.