2 perditesime
21:02

Kurteshi për Asociacionin: Kurti të ofrojë zgjidhje pa e shkelur Kushtetutën

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të mendojë të ofrojë zgjidhje që janë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe jo të lëshohet në konflikt me opozitën.

I ftuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, Kurteshi ka thënë se Kurti si udhëheqës i Qeverisë duhet të mendojë të gjejë zgjidhje pa e shkelur Kushtetutën dhe jo të veprojë kundër opozitës.

“Z.Kurti është i detyruar që gjërat t’i mendojë mirë dhe të mos lëshohet në konfliktin me opozitën. E dimë që opozita do të kundërshtojë çdo gjë që ka rëndësi dhe e bën kjo qeveri. Z.Kurti e ka për detyrë të ofrojë zgjidhje që janë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ai nuk ka të drejtë ta shkelë Kushtetutën. Është udhëheqës i ekzekutivit të vendit dhe nuk ka të drejtë të mendojë në kriteret ‘unë jam pozita, ata janë opozita dhe unë do të bëj diçka kundër tyre’. Ai e ka për detyrë të mendojë për vendin dhe të japë propozimet, sqarimet dhe t’i vendosë kushtet që ai mendon se janë më të drejta”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, regjisori Agim Sopi, është deklaruar rreth planit evropian, i njohur si ai franko-gjerman, për të cilin tha se do të jetë një blerje e kohës dhe nuk do të zgjidhë asgjë.

“Insistimi amerikan është për të filluar të zbatohet Asociacioni, të krijohet një draft i statusit të Asociacionit dhe për t’i hapur rrugë bisedimeve që kanë me qenë blerje kohe. Plani franko-gjerman ka me qenë një blerje kohe sepse nuk do të zgjidhë asnjë gjë ashtu siç nuk kanë zgjidhur asgjë bisedimet”, ka thënë ai.


Isufi: Serbia dëshiron shtet serb brenda Kosovës, s’ka opozitë në këtë çështje

Bejtush Isufi, jurist dhe aktivist politik ka thënë se në Kosovë nuk duhet të ketë opozitë kur bëhet fjalë për të mos e lejuar Serbinë që të krijojë shtet serb brenda Kosovës.

Sipas tij, është e pafalshme që partitë politike nuk takohen për një çështje kaq të madhe.

“Është e pafalshme që partitë politike nuk takohen. Në këto çështje kaq të mëdha do të ishte dashur të provojnë të komunikojnë. Asociacionin e formojnë komunat serbe edhe pa e pyetur kryeministrin serb dhe askënd. Asociacioni i komunave të Kosovës nuk i ka komunat serbe, jo sepse i kemi përzërë por sepse ato s’kanë dashur të asociohen. Në atë asociacion nuk janë vetëm çështjet etnike, por të pushtetit lokal. Prapavija e Serbisë ka qenë që me instrumentalizim të komunitetit serb, ata kanë dashur ta kenë vetëm një sustë dhe sustën e kanë bërë, kryetarin e Listës Serbe. Serbia po dëshiron ta institucionalizojë shtetin serb brenda shtetit të Kosovës e këtu ne duhet të jemi bashkë, s’ka opozitë në këtë çështje”, është shprehur Isufi.

Ndërkaq, regjisori Agim Sopi, ka thënë se pushteti dhe opozita do të duhej të bënin një front të përbashkët lidhur me Asociacionin.

“Si vendim i përbashkët, Kurtitdhe opozita do të duhej t’i kapërcejnë këto konfliktet e vogla dhe ambiciet për pushtet dhe ta bëjnë një front të përbashkët si në rastin e Rambujesë, dhe konferencën e Vjenës dhe do të duhej ta kemi edhe tash sepse përafërsisht edhe opozita është pajtuar me këto me të cilat është pajtuar edhe Kurti”, ka thënë Sopi.

Ai u shpreh se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur ta denazifikojë Serbinë pas luftës, ndërsa tha se Kosova duhet të ofrojë një status të Asociacionit, e të mos shërbehet nga formatet e organizatave të huaja.

Sipas tij, aktualisht nuk duhet të ketë ndasi mes pozitës dhe opozitës, por “t’i thërrasin mendjes dhe të bëjnë grup të unitetit”.

Ndërsa, gazetarja Dafina Demaku u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po i bëjnë presion Kosovës, por po e ndihmojnë në këtë proces.

20:41

Sopi: SHBA-ja hoqi dorë nga marrëveshja finale

Regjisori Agim Sopi ka thënë se administrata amerikane ka hequr dorë nga arritja e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa sipas tij, aktualisht po flitet për marrëveshje që s’i obligon palët për asgjë.

Ai ka deklaruar në emisionin “Konfront” të KTV-së të enjten se me këtë marrëveshje, Kosova e Serbia po obligohen vetëm t’i respektojnë marrëveshjet paraprake, derisa ka theksuar se gjatë Administratës së presidentit Joe Biden, nuk do të arrihet asgjë. Sipas tij, zgjidhjet e sotme janë vetëm për të blerë kohë.

“Gjatë administratës Biden nuk do të ndodhë asnjë lloj zgjidhje e problemit kosovaro-serb... Problemi është zgjidhur në vitin 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare i ka dhënë të drejtë Kosovës... Gjithçka që ka derivuar pas asaj, ka qenë papjekuri e klasës tonë politike. Ne kemi rënë në gropa, kemi nisur ta mohojmë pavarësinë, i kemi bishtnuar”, ka deklaruar Sopi.

Sipas tij, shteti i Kosovës është ndërtuar nga një administratë ndërkombëtare që ka bërë “eksperiment kurrfarë”.

Demaku: E befasishme që Asociacioni është top-temë

Ndërsa, gazetarja Dafina Demaku ka theksuar se deklarimet e fundit të ndërkombëtarëve për marrëveshje, nuk janë oferta e sqarime, por kushte.

Ajo tha se është e çuditshme se si Asociacioni u bë temë diskutimi me urgjencë.

“Sot e kemi Asociacionin prioritet. Për shkak të sjelljeve tona në dialog. Për shkak të situatës në veri. Dialogu s’është si tërësi, por Asociacioni. Befasisht e kemi Asociacionin para vetes top-temë, kjo derivon nga sjellja jonë”, ka thënë ajo.

20:27

Isufi i quan kthesë gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin

Bejtush Isufi, jurist dhe aktivist politik ka thënë se gjashtë kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të prezantuara të enjten në seancën e Kuvendit të Kososvës, janë një kthesë e kryeministrit në këtë drejtim.

Ai ka thënë se për të, gjashtë kushtet janë një ofertë e Kurtit në përgjigje të aleatëve ndërkombëtarë dhe opozitës në Kosovë.

“Prej sot mund të thuhet se duhet të nisim një dialog të hapur intensiv me shoqërinë civile, unë shoh një kthesë, një hapje, një mundësi. Për mua kjo është oferta e kryeministrit që u bëhet si përgjigje aleatëve ndërkombëtarë por edhe opozitës një pozicionim i qartë”, ka thënë Isufi të enjten në "Konfront" të KTV-së.

Ndërkaq, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se gjashtë kushtet e vëna nga Kurti janë konstruktivitet në bisedime.

“Kjo është ajo që në kushte normale quhet konstruktivitet në bisedime, nuk mundesh me thënë vetëm po ose jo, por duhet të kërkohen zgjidhje. Kushtet përmbledhin elementet që janë bindje e thellë të kryeministrit që si aktivist politik dhe se opozitar i ka paraqitur gjithmonë: që unë jam i interesuar të gjejë zgjidhje”, ka thënë Kurteshi.

Të enjten në seancën e Kuvendit, kryeministri Kurti prezantoi gjashtë kushte nën të cilat u shpreh se do të pranonte formimin e Asociacionit. Kushtet që përmendi ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën, të ndërrojë emrin, të mos jetë monoetnik, të mos ketë kompetenca ekzekutive, të drejtat e pakicave të kenë parimin e reciprocitetit, të shuhen strukturat ilegale të Serbisë, që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale e të zbatohet pas njohjes e që Serbia t’i tërheqë letrat dërguar shteteve mosnjohëse në BE për të kundërshtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.