Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësimin që Kuvendi dhe Qeveria nuk kanë respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave në sistemin gjyqësor.
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke shprehur kundërshtinë me vlerën e koeficientit, ka thënë se ulja e pagës për gjyqtarët është në kundërshtim me parimin e parashikueshmërisë dhe standardet ndërkombëtare.
"Nuk është definuar statusi i administratës gjyqësore në përputhje me zotimet e tash e dy viteve".
KGJK në mbledhjen e asamblesë së kryetarëve të gjykatave, konsideroi se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe vendimi i Qeverisë për vlerën e koeficienteve, paraqet ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.
“Një ndërhyre e tillë në sistemin gjyqësor është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian”, thuhet në komunikatën e këshillit.
Ndërkohë, KGJK-ja ka ftuar Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar Ligjin për Pagat në Kushtetuese.