Makshana: Gjyqtarët e prokurorët janë në obligime financiare, ka rrezik për korrupsion

- 20:52Makshana: Gjyqtarët e prokurorët janë në obligime financiare, ka rrezik për korrupsion
- 20:45Shatri: Shërbyesit civilë do të paguhen më pak se në 2019-n
- 20:40Pantina: Si do të luftohet korrupsioni kur u cenohet dinjiteti atyre që e luftojnë
- 20:36Makshana: Kushtetuesja mund t’i shfuqizojë disa dispozita të Ligjit të Pagave
- 20:34Bajra: Pjesa dërmuese e zyrtarëve publikë shprehin pakënaqësi për vlerën e koeficientit
- 20:29Pantina: Koeficienti i ulët, mund të shkaktojë ikje të zyrtarëve publikë
- 20:28Shatri: Koeficienti prej 105 eurosh nënkupton zbritje të pagave
Makshana: Gjyqtarët e prokurorët janë në obligime financiare, ka rrezik për korrupsion
Gjyqtarët dhe prokurorët kanë hyrë në obligime të shumta financiare dhe ulja e pagës do të ndikonte në detyrimet e tyre, ka deklaruar Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Makshana ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se kjo mund të ndikojë që ata të korruptohen.
“Çdo prokurori apo gjyqtari i rrezikohet parimi i sigurisë juridike. Ata kanë hyrë në obligime financiare dhe një ulje e pagës do të ndikonte në detyrimet financiare të tyre. Kur ishte çështja e vendimit për uljen e pagave te Qeverisë, i kemi parë reagimet e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. I është cenuar paga shumë punonjësve në këtë sektor. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të mos ulen, pasi të njëjtit kanë hyrë në detyrime financiare, kanë bërë planifikime të cilat presin të përmbushen e kjo mund të rrezikojë ikjen e tyre. Është rreziku potencial për të pasur korrupsion”, është shprehur Makshana.
Bajra: Për të pasur besim te Qeveria, s’duhet t’i selektojë pozitat e caktuara
Profesori universitar, Ujkan Bajra, ka thënë se për të pasur një qëndrim të besueshëm ndaj Qeverisë, ajo nuk duhet t’i selektojë pozitat e caktuara, por duhet të jetë uniforme për të gjitha koeficientet që janë të parapara në Ligjin e Pagave.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Bajra ka thënë se rreziku që profesionistët të largohen është i lartë në secilin sektor publik.
“Profesorët janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë, ndryshe janë kërkesat e një profesori, ndryshe të një mësimdhënësi të ciklit të ulët. Si profesor mund të obligime, si p.sh konferenca jashtë vendit që kushtojnë deri në 2 mijë euro, dhe këto nuk i mendon askush. Unë kam punuar një kohë në administratë tatimore. Një zyrtar i ankesave që e shqyrton një vlerësim të inspektorit, e ka koeficientin 5.7, pritet të paguhet 598 euro. Kjo jo që e demotivon, por e nxit secilin zyrtar të mendojë nëse duhet të qëndrojë aty, përpos që mund t’i hapë rrugë korrupsionit, ky ligj do ta dëmtojë shumë profesionistin e vërtetë. Gjithashtu do ta rritë pasivitetin te zyrtarët publikë”, ka thënë ai.
Sipas Bajrës, Kosova qëndron më mirë sesa vendet e rajonit sa i përket shpërndarjes së të ardhurave.
“Kosova ka kohë që qëndron relativisht mirë, madje më mirë sesa vendet e rajonit, e madje edhe më mirë se disa prej vendeve të Bashkimit Evropian. Në Kosovë sillet diku rreth 28, ndërsa në Shqipëri 34 për qind këtë shpërndarjen e të ardhurave. Është vështirë për t’i besuar një pohimi të tillë dhe nëse ne dëshirojmë ta rrisim transparencën, ta kemi një perceptim më të besueshëm të Qeverisë, Qeveria nuk duhet t’i selektojë pozitat e caktuara, por duhet të jetë uniforme lineare për të gjitha 136 nivelet apo 18 koeficientet që janë të parapara këtu”, ka thënë ai.
Shatri: Shërbyesit civilë do të paguhen më pak se në 2019-n
Ish-ministri i Financave Haki Shatri, deklaroi se nëpërmjet koeficientit 105, të përcaktuar nga Qeveria, paga reale nuk është rritur, por është zbritur.
Ai tha në KONFRONT-in e KTV-së të enjten se me këtë pagë, secili shërbyes civil do të blejë më pak mall se në 2019-n me pagë të parritur.
“Kjo rritje e pagave 11 për qind, në kushtet kur shtrenjtimi ka ndodhur 40-60 për qind vetëm në 2022, jo që është rritur, është zbritur. Paga reale është zbritur. Me këtë pagë, secili shërbyes civil do të blejë më pak mall se në 2019 me pagë të parritur...Në 2021 e 2022 nuk është respektuar rritja e GDP-së me adaptim të pagave. Adaptim i shifrave me ndryshimet që janë të parapara me ligj. Janë disa gjëra të çuditshme këtu. Tatimet në të ardhurat personale të rriten 24 për qind, kurse komplet janë rritur 11 për qind”, shtoi ai.
Shatri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se Qeveria i ka zgjedhur vetëm disa kategori për t’i rritur tatimet, e një prej tyre është biznesi kosovar.
“Në biznese tatimi është 41 për qind. Kjo Qeveri i ka ‘pikiratë’ me i shtri përtokë disa kategori. Në to janë bizneset, arsimi, shëndetësia, që po punojnë në kushte të mjera dhe janë të dëmtuar”.
Pantina: Si do të luftohet korrupsioni kur u cenohet dinjiteti atyre që e luftojnë
Shqipe Pantina, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se dallimi mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë në Kosovë është 1 me 9.
Sipas saj problemi është që zyrtarët që më së shumti e përbejnë sektorin publik, bazuar në inflacionin aktual, do të kenë pagë më të ulët.
Ajo ka thënë se nevojat e tyre, përfshirë edhe ato bazike, nuk do të jenë të përmbushura.
“Qysh do me luftu korrupsionin dhe si do me forcu sundimin e ligjit kur njerëzve që janë përgjegjës për ta bërë atë, po ua cenon dinjitetin sepse po e merr një vendim për të cilën tashmë ata e kanë dhënë fjalën e vet si institucion”, ka thënë ai.
Sipas saj, premtim tjetër i Qeverisë ka qenë që çiftet e reja do të kenë mundësi të blejnë shtëpi me çmim të përballueshëm.
Ajo ka thënë se një çift që është i punësuar në sektorin publik, të dy së bashku nuk kanë mundësi të blejnë shtëpi.
Makshana: Kushtetuesja mund t’i shfuqizojë disa dispozita të Ligjit të Pagave
Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund t’i shfuqizojë disa dispozita të Ligjit të Pagave.
Duke folur rreth vlerës monetare të koeficientit të pagave në sektorin publik, i cili u bë publik të mërkurën, Makshana ka thënë se Kushtetuesja do t’i shfuqizojë dispozitat antikushtetuese të Ligjit të Pagave.
Sipas tij, IKD-ja tashmë ka bërë kërkesë te Avokati i Popullit për ta dërguar Ligjin në Kushtetuese.
“IKD-ja e ka bërë një kërkesë te Avokati i Popullit për ta dërguar Ligjin në Kushtetuese me qëllim që të mbrohen ata zyrtarë apo pozita të cilave u është ulur paga. Shumë punonjës të shtetit kanë pësuar rënie të pagave nga ky ligj dhe shumë dispozita të këtij ligji janë diskriminuese. Nëse shkon në Kushtetuese, ajo mund të shfuqizojë disa dispozita të këtij ligji, pra ato që janë antikushtetuese dhe t’i lë në fuqi disa dispozita të tjera”, ka thënë Makshana në “Konfront” të KTV-së të mërkurën.
Sipas tij, gjatë hartimit të këtij ligji, transparenca nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe nuk janë marrë parasysh komentet e IKD-së e as të organizatave të tjera joqeveritare.
Bajra: Pjesa dërmuese e zyrtarëve publikë shprehin pakënaqësi për vlerën e koeficientit
Profesori universitar, Ujkan Bajra, ka thënë se pjesa dërmuese e njerëzve të cilët punojnë në sektorin publik, kanë shprehur pakënaqësi për vlerën e koeficientit të pagave, që është bërë i ditur të mërkurën.
I ftuar të mërkurën në emisionin “Konfront” në KTV, Bajra ka thënë se vlera e koeficientit e përcaktuar nga Qeveria nuk ka dalë sipas pritjeve të shumicës prej punonjësve të sektorit publik.
“Ka një kohë që po e shqyrtojnë këtë shqetësim të të gjithë zyrtarëve publikë. Mund të jetë një pjesë e vogël e njerëzve që vlera e koeficientit ka dalë sipas pritjeve të tyre. Pjesa dërmuese e njerëzve kanë shprehur pakënaqësi rreth vlerës së koeficientit të përcaktuar. Shumica e zyrtarëve publikë dhe shërbyesve civilë, pra vlera e koeficientit nuk është sipas pritjeve të tyre”, ka thënë ai.
Ai më tej ka thënë se me këtë vlerë të koeficientit të prezantuar të mërkurën, për mësimdhënësit në ciklin e mesëm të ulët, bazuar në pagën neto, vlera e koeficientit do të dilte diku rreth 99 euro.
“Nëse e marrim dhe e shikojmë se si kanë qenë pagat, nëse një arsimtar në ciklin e mesëm të ulët, nëse është paguar 450 euro neto, paga bruto ka mundur të shkojë 520 euro. Këtu po flasim për pagën bruto. Kur tatimohet, kur zbriten kontributet 5 për qind, një koeficient i del vlera diku rreth 99 euro. Nëse marrim dhe i shikojmë për pjesën e inflacionit, del që aty nuk ka rritje fare. Ndërsa te arsimi i lartë edhe edhe ligji ka të meta jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai.
Pantina: Koeficienti i ulët, mund të shkaktojë ikje të zyrtarëve publikë
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, deklaroi se koeficienti i përcaktuar për pagat e sektorit publik mund të shkaktojë ikje të zyrtarëve nga këto institucione.
Ajo deklaroi në KONFRONT-in e KTV-së të mërkurën se çfarëdo vlere e koeficientit nën 125 euro, nuk shënon rritje të pagave, por cenon mirëqenien e secilit të punësuar.
“Ajo që është shqetësuese është vlera e koeficientit. Çfarëdo vlere nën 125 euro nuk shënon rritje, por e cenon mirëqenien e secilit të punësuar në sektorin publik, të atyre mbi 82 mijë të punësuarve në këtë sektor e që janë goditur nga inflacioni. Jo vetëm mirëqenia që është cenuar, por edhe siguria shëndetësore”, deklaroi Patina.
Sipas saj, me këtë përcaktim të pagës, çdo hulumtues i organizatave joqeveritare paguhet më tepër se një zyrtar i administratës publike.
“Do të kemi dobësim të kualitetin të sektorin publik dhe të performancës”.
Shatri: Koeficienti prej 105 eurosh nënkupton zbritje të pagave
Ish-ministri i Financave Haki Shatri ka thënë se vlera e koeficientit prej 105 eurosh nuk i ka plotësuar pritjet e shërbyesve civilë. Ai ka thënë se Qeveria ka luajtur me ndjenjat e tyre të cilët kanë pritur në ankth që të caktohej prej javësh.
Shatri ka thënë se ua sheh për të madhe deputetëve të cilët kanë votuar pro Ligjit të Buxhetit për vitin 2023.
“Siç shihet nga të dhënat burimore të Ligjit për Buxhetin ka një grumbull numrash që janë pakuptim që janë miratuar në Kuvend nga mozharanca që s’besoj se i ka lexuar, një pjesë e madhe nuk i kanë kuptuar por ata që i kanë votuar ua zë për të madhe si kanë ngritë dorën të votojnë buxhetin në formën në të cilën është sot”, ka thënë ai.
ka shpjeguar tutje pse i është dukur e pakuptimtë përmbajtja e këtij ligji. Më të çuditshme e ka parë rregullimin në kategorinë e pensioneve, ndërsa për këtë kategori ka theksuar se nuk pritet rritje për askënd.
“Është e pakuptimtë përmbajtja, të zëmë në kategorinë e shpenzimeve. Kategoria e mallrave dhe shërbimeve është rrite për 90 milionë vetëm për 2023. Nga 403 milionë sa ishte më 2022 në 493 milionë më 2023, 90 milionë Qeveria që vazhdimisht është deklaruar kundër luksit. I ka shtuar për luksin e vet 22.3% të fondit për mallra dhe shërbime, derisa ka shtuar vetëm 11% për pagat. Më e çuditshme është që për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve ku hyjnë kategoritë e pensioneve janë shtuar vetëm 53 milionë. Shtesë në kategorinë e pensioneve këtë vit mos të pret dikush që do të ketë sepse buxheti është shtuar vetëm 5% dhe ajo nuk është rritje”.
Shatri ka deklaruar se koeficienti prej 105 eurosh nënkupton zbritje të pagave.
“Koeficienti 105 euro nuk nënkupton rritje, koeficienti 105 euro nënkupton zbritje reale të pagave sepse rreth 90% e shërbyesve civilë që marrin pagë nën mesatare që nuk është siç ka deklaruar ministri i Financave 730 euro, por është 699 euro bruto nëse realizohet kjo”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Pjesëtarët e komuniteteve pakicë tregojnë se ndihen shpesh të diskriminuar

Kude: Komuniteti turk përballet me problemin e përkthimit të librave në gjuhën turke

Pas funksionalizimit të Komerciales përkeqësohet situata me lëndët e pazgjidhura

Masakra e Belegut - burrat torturoheshin para se të vriteshin

Qeveria: Termi “personat e zhdukur me forcë” do të jetë pjesë e deklaratës

BE-ja: Pasoja, nëse s’ka zbatim të marrëveshjes

Jakurti: Norma e lartë e inflacionit duhet të jetë problemi kryesor i ekonomisë në Kosovë

Delegacioni danez vizitoi Burgun e Gjilanit, informohet për trajtimin e të burgosurve

Arifi: Ambasadori Hill premtoi se do t’i bëjë presion Beogradit për shqiptarët e Luginës

Nurboja merr përkohësisht postin e guvernatorit

Osmani në Samitin për Demokraci fton shtetet mosnjohëse që ta njohin Kosovën
