Lëvizja Vetëvendosje mban qëndrimin e njëjtë mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë deputetja e VV-së, Fitore Pacolli. Ajo ka thënë se janë kundër asociacionit njëetnik.
Pacolli në “Interaktiv” të KTV-së kur është pyetur nëse përjashton çdo lloj mundësie që të ketë asociacion, ajo është përgjigjur se: “Nuk do të duhej të kemi struktura që minojnë atë që kemi ndërtuar deri tash”.
“Kosova nuk mund të negociojë me Serbinë për riorganizmin brenda territorit të saj dhe të vë në pikëpyetje apo të bie në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Ne kemi punuar që të ndërtojmë Kosovën një shtet multietnik. Nuk do duhej që tani kur jemi në fund të një procesi të shtetndërtimit të Kosovës, ku ne jemi drejt avancimit të demokracisë së Kosovës, të na kthejë në hapa prapa ku ne të krijojmë një strukturë që do të na bllokojë dhe kthejë në pozitën ku ishim në fillim. Nuk do të ketë (asociacion). Ne si VV e kemi akoma atë qëndrim, jemi kundër asociacionit njëetnik”, ka theksuar ajo.
Pacolli ka deklaruar se qasja dhe presioni që po i bëhet Kosovës për asociacionin nga ndërkombëtarët, është i padrejtë. Ajo ka shtuar tutje se Kosova nuk do të duhej të kushtëzohej në rrugën e saj drejt integrimit evropian me Asociacionin.
“Bashkësia evropiane me SHBA-në mundohen që të çojnë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhje përfundimtare me njohje reciproke por kjo mënyrë nuk është ajo që duhet të bëhet sepse presioni që po i bëhet Kosovës nuk është i duhuri në këtë moment sepse Kosova e ka dëshmuar se ka punuar, kurse Serbia çdo ditë e më shumë po bëhet më jokonstruktive. Presioni ndërkombëtar duhet të jetë mbi Serbinë”.
Pacolli është shprehur se Qeveria është e gatshme të diskutojë për të drejtat e komuniteteve joshumicë, por jo edhe për ato ekzekutivet.
“Duhet të kthehemi prapa të shohim sa është punuar të integrohen në mënyrë profitabile jo vetëm ekonomik për Kosovën, por mënyrë që çon drejt një afrimi më të madh drejt bashkëjetesës. Gabimet që janë bërë në të kaluarën, nuk do të thellohen tani më tutje sepse ne kemi provuar me decentralizim. Decentralizimi i ka ndarë serbët dhe shqiptarët në mënyrë që ata më nuk jetojnë bashkë dhe kjo e ka dëmtuar procesin e integrimit. Tani nuk duhet ta thellojmë këtë ndarje përmes një asociacioni. Kemi komuna në jug ku jetojnë shumicë serbë dhe janë të integruar në jetë normale. Njëjtë do duhej të punonim me komunat në veri”, ka thënë Pacolli.