Arbëri

Murati për tatimin: LDK-ja e ka hallin e biznesmenëve dhe ndërtimtarëve

Descriptive Text

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta pezulluar rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të mëhershme, është që të përfitojnë “qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak”.

Qe disa ditë qytetarët janë alarmuar pasi faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 u rritën në vlerë të konsiderueshme në raport me vitet e kaluara. Pas reagimit, ministri Murati propozoi që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të tatimit të pronës.

Ndërkaq, të shtunën LDK-ja kundërshtoi propozimin e Qeverisë duke dhënë vetë propozim që të pezullohet aplikimi i rivlerësimit dhe që faturat e vitit 2023 të llogariten sikur të një viti më herët e që Qeveria të procedojë me ligjin e ri.

Në kundërpërgjigje, Murati ka thënë se me propozimin e tij do të fitonin 85 për qind e tatimpaguesve.

“Është shumë e thjeshtë, me propozimin tim, që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë: 85% e tatimpaguesve nuk do të paguanin ASGJË për vitin 2023 (ata që tashmë kanë paguar, u llogaritet si parapagim për vitin vijues); 10% të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023; Pra vetëm Top 5% e tatimpaguesve (që përfshin edhe bizneset) do t’u binte të paguanin më tepër se 100 euro për tërë vitin 2023”, ka shkruar Murati në Facebook.

Sipas tij, opozita po e kundërshton këtë propozim duke aluduar në mbrojtje të “bizneseve ndërtimore”.

“Mirëpo opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër. A e dini pse? Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa”, ka thënë Murati.

Sipas tij, “me propozimin e opozitës/LDK-së: 95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë; Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri - raste të tilla ka shumë; Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak”.

“Pra, qytetarë të dashur, kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë. E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të MOS u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët”, ka thënë ai tutje.

Murati ka thënë se Qeveria shumë shpejt do ta dërgojë ligjin e ri në Kuvend.

“Në ligjin e ri do të përfshijmë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023, si dhe do të rrisim fleksibilitetin e komunave dhe do të bëjmë tatimin progresiv për vitin 2024 e tutje, ashtu që, ata që kanë më pak të paguajnë më pak, ndërsa ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë”, ka shkruar tutje Murati.