Arbëri

Gjendje e mjerueshme në SHSKUK - s’ka penj për operime, infuzione, dorëza e as qese urinore

SHSKUK - mungesa

Pacientët që duhet të operohen nëpër Klinikat e SHSKUK-së, detyrohen që t’i blejnë vetë edhe penjtë kirurgjikalë. Në disa klinika ka muaj që nuk ka penj, teksa në atë të Urologjisë, që nga e marta, pacientëve u kërkuan që ato t’i sjellin me vete për operacion.

KOHA qëndroi në ambientet e SHSKUK-së, pasi hyrja brenda nuk iu lejua, ndërsa bisedoi me shumë pacientë. Një numër i madh i tyre, në kushte anonimiteti, treguan për mungesa edhe të gjërave bazike.

Në mjekimin intensiv në QKUK, mjekët e infermierët nuk janë të pajisur as me dorëza. Aty përdoren dorëzat sterile për operacione e për plagë të hapura, ndërkaq ato josterile për shërbime të tjera. Porse KOHA mësoi se në këtë klinikë nuk e posedojnë asnjërin lloj.

Mungesë në QKUK ka edhe të infuzioneve 100-mililitërshe, si dhe të qeseve urinare, produkte këto që shiten me çmim të ulët.

Pacientët treguan edhe për mungesën e albuminave, një trajtim që nevojitet për të sëmurë rëndë, si dhe të ampulave imepenem. Mungesë ka edhe të letrës për pastrim, pas realizimit të ehove si dhe lloje të ndryshme të barnave për trajtimin e kancerit.

Ndonëse bëhet fjalë për mungesë të produkteve elementare, SHSKUK ka zgjedhur të mos i përgjigjet KOHËS në lidhje me këtë çështje. E KOHA e ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë e Bordin e SHSKUK-së për këto mungesa, asnjëri nga këto institucione nuk është përgjigjur. SHSKUK-ja për dy javë gjashtë herë ka heshtur e nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet konkrete të KOHËS.

KOHA pati raportuar se rreth 1 milion e 300 mijë euro për barna dhe për material shpenzues, dedikuar për vitin 2022, kanë shkuar në suficit, shkaku që menaxhmenti dështoi t’i përfundonte proceset e prokurimit. Krahas kësaj, SHSKUK-ja ka të paktën katër muaj që nuk ka arritur të sigurojë blejë as shampon për pastrimin e duarve dhe letra për tualet.