Ministria e Financave dhe komunat në vend kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngritje të vlerës së tatimit në pronë. Përderisa Komunat kanë thënë se fajtore për shtrenjtim të tatimit në pronë është rivlerësimi i pronave nga Ministria, ministri Hekuran Murati ka thënë se komunat kanë qenë në dijeni e se s’kanë pasur vërejtje. Ndërkaq, qytetarët kanë mbetur të alarmuar me ngritjen deri në dyfish të faturës së tatimit për vitin 2023.
Qytetarë të shumtë kanë reaguar të hënën në mbrëmje dhe të martën në mëngjes pasi kanë parë faturat e tatimit në pronë. Shumica kanë përjetuar rritje dyshifrore, ndërsa ka pasur raste edhe në mbi 150 për qind. Sipas publikimeve të qytetarëve në rrjete sociale, ka pasur raste kur nga vlerësimi i pronës prej 500 euro metri katrorë vitin e shkuar, e njëjta pronë tash ka vlerën gati 1000 euro metrin katrorë.
Kryesuesi i drejtorëve të Financave në kuadër të Asociacionit të Komunave, Jeton Abazaj, ka thënë se vlerësimi i pronave është bërë nga Ministria e Financave. Sipas tij, kjo ministri është bazuar në çmime të tregut dhe se kjo ka bërë që të ketë rritje të faturave të tatimit në pronë. Ai ka publikuar Ligjin për tatimin në pronë që thekson se normën tatimore komunat kanë të drejtë ta përcaktojnë mes minimumit prej 0.15 për qind deri në 1 për qind.
Ndërkaq, Ministria e Financave në një njoftim në Facebook ka thënë se vlerësimi i tokave dhe objekteve është bërë në tetor. Për të ka thënë se kanë qenë të njoftuara komunat “me të cilat ka bashkëpunuar ngushtë për ta përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka”
Sipas MF-së, vlerësimi është bërë duke marrë të dhënat: Kontrata të shitblerjeve jo më të vjetra se 3 vjet, intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme, anketime të pronarëve, intervista me zyrtarë bankash, vlera të pronave që janë shpronësuar, të dhëna të qirave dhe të kompanive të ndërtimit.
Po ashtu më 2023 nuk është zbatuar zbritja e përgjithshme për tokat.
Në Komisionin parlamentar për mbikëqyrje të financave, ministri Hekuran Murati, ka thënë se në të kaluarën ka pasur edhe raste të nënvlerësimit të pronave.
Reagime ndaj ngritjes së tatimit në pronë ka pasur edhe nga opozita.