Arbëri

Walker: Reçaku simbolizon fillimin e fundit të kontrollit serb të Kosovës

William Walker - Interaktiv

Ish-ambasadori i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, thotë se masakra e Reçakut simbolizon edhe fillimin e fundit të kontrollit serb në Kosovë.

Walker në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së ka treguar për ngjarjen e 15 janarit të vitit 1999, kur në Reçak ishin vrarë 45 civilë shqiptarë.

“Në opinionin tim, çfarë ndodhi në fshatin Reçak më 15 janar të vitit 1999, sigurisht se nuk ishte unike. Ka ndodhur në shumë vende të tjera më parë, ndodhi edhe në vende të tjera më pas. Por për shkak të rrethanave se si rrodhën gjërat më pas, Reçaku simbolizon fillimin e fundit të kontrollit serb të Kosovës. Dhe isha aty. Unë marr shumë pak merita për atë se çfarë ndodhi, si rezultat i së cilës pati reagim ndërkombëtar për masakrën e Recakut. Mendoj se filloi diçka që përfundoi me bombardimet e NATO-s, përfundoi me çlirimin e Kosovës dhe kthimin e qindra mijërave refugjatëve që kishin ikur, dhe përfundimisht kulmoi me pavarësinë - lindjen e një shteti të ri”, ka thënë Walker.

Ai ka shpjeguar për rrugën që kishte bërë 24 vjet më parë deri në Reçak e po ashtu deklaratat që dha më pas, ku e cilësoi atë që ndodhi në Reçak si masakër e krim kundër njerëzimit.

“Shkova atje pa pasur asnjë ide se çfarë do të shihja dhe hyja me një fshat që kishte kaluar atë në të cilën kaloi Reçaku në 24 orët e fundit të asaj kohe. Hymë në fshat, te xhamia dhe pamë gra të moshuara e gra më të reja që po qanin. Po përjetonin dhimbje të rëndë. Dhe që të gjenim se çka e shkaktoi atë dhimbje, ne fillimisht gjetëm një trup koka e të cilit ishte hequr. Duke u ngjitur në një lug, në të cilën një natë më parë 45 djem e burra ishin marrë nën kërcënimin e armëve nga policia serbe dhe ushtria serbe, e ku fshatarët ishin marrë për t’u pyetur, rrahur apo çfarëdo tjetër që u thanë atyre. Dhe pastaj gjetëm grumbull trupash. Kam parë secilin nga ta dhe pashë dëmin e tmerrshëm që u ishte shkaktuar secilit nga ta nga ekzekutimi. Jam qenie njerëzore. U tmerrova. Kam parë dhunë edhe më parë, pasi shumica e karrierës sime ka qenë në vende të dhunshme. Në El Salvador ku kishte luftë civile. Ishte tejet e dhunshme. Por kurrë nuk isha aq afër diçkaje që ishte krim serioz lufte”, thotë Walker.

Walker tregon se raportin e tij e kishte përfunduar me fjalët “nëse Beogradi s’pajtohet me interpretimin tim, atëherë duhet të dërgojë hetues ndërkombëtarë, jo hetues serbë apo bjellorusë, por hetues të pavarur seriozë e profesionalë”.

“Kur arrita në Reçak, siç e thashë, nuk e dija se çfarë do të shihja. Kur arrita, aty kishte disa gazetarë, duke përfshirë një grup gazetarësh amerikanë, nga televizioni ABC (ej-bi-ci). Kishte edhe gazetarë të tjerë dhe të gjithë më pyesnin: Walker, çfarë mendon se është kjo? Çfarë ka ndodhur këtu? U thashë: ‘shikoni, më lejoni të shoh pak, dhe kur të arrij në Prishtinë do të mbajë një konferencë për shtyp dhe do të them se çfarë pashë.’ Kur arrita në zyrë time, fillova të shkruaja, dhe ndjeva se unë duhej të verifikoja atë që kisha parë dhe 1,400 anëtarë të tjerë të misionit verifikues të OSBE-së po raportonin nga Kosova. E shkrova raportin tim, dola e prezantova, duke thënë ato çfarë kisha parë, çfarë konkludova se ka ndodhur. Fajësova policinë dhe ushtrinë serbe për masakrën. Dhe e përfundova raportin me fjalë shumë të fuqishme se ‘nëse Beogradi s’pajtohet me interpretimin tim, ata duhet t’i dërgojnë hetues ndërkombëtarë.’ Jo hetues serbë apo bjellorusë, por hetues të pavarur seriozë e profesionalë.

Ambasadori Walker ka treguar se një nga thirrjet e para që kishte bërë ishte te Tribunali Ndërkombëtar në Hagë.

“Fola me kreun e këtij Tribunali, duke i thënë se ju duhet të vini menjëherë në Kosovë, dhe ajo mori rrugën e unë shkova në kufi për t’ia mundësuar të hynte në Kosovë, por autoritetet serbe nuk e lejuan të hynte. Ekipi finlandez i Forenzikës të cilët i kisha takuar më parë, doktor Renta të cilin e pyeta nëse mund të vinin sa më parë që të mundej. Udhëtimi u ishte shtyrë dhe në këto ditë, ekipi i forenzikës më thanë t’u them autoriteteve këtu që ‘të mos i prekin trupat e masakruar’. Se nuk mund t’i bëni ekzaminim të mirë të forenzikës trupave nëse të njëjtit janë prekur. Dhe natyrisht, gjyqtarja Milenkoviq nga qyteti i Nishit besoj të ketë qenë, ka urdhëruar të bëhet autopsia menjëherë me ekspertë serbë të forenzikës. Unë po i fajësoja autoritetet serbe për masakrën dhe ata dërgojnë doktorë serbë për të bërë ekzaminimin forenzik. Ajo për mua nuk kishte vlerë”, ka thënë Walker.