Arbëri

Paratë shkuan në suficit, në së paku 12 klinika në QKUK që disa muaj s’ka as shampon as letra për tualete

Pacientët e hospitalizuar në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës qe të paktën 4 muaj, nuk kanë edhe shampon për duar.

Pamjet e siguruara nga të paktën 14 klinika të këtij institucioni dëshmojnë gjendjen e tmerrshme ku marrin shërbimin pacientët.

Pamje të tilla si kjo ku nuk ke me çfarë t’i lash duart në QKUK, janë të shpeshta.

Nga këto klinikat ku kishin qasje burimet e KOHËS, në vetëm tualetet e dy klinikave këtë fundjavë u gjet shampon për duar.

Punonjësit e tyre thanë edhe aty SHSKUK-ja nuk e ka siguruar shamponin, por atë e kanë sjellë me vete pacientet.

Përveç së pacientët nuk kanë me çfarë t’i lajnë duart ata nuk kanë as letra tualeti e për tharje të duarve.

Në disa nga tualetet tashmë janë shkatërruar edhe vendet për mbajtjen e letrave.

KOHA ka dërguar një pyetje te menaxhmenti i SHSKUK-së se pse nuk ka letra për tualete e shamponë të nevojshëm për pacientët e hospitalizuar.

Nga ky institucion përveç që nuk kanë kthyer përgjigje, Televizionit i është kërkuar edhe leje për t’u futur brenda me kamerë që të incizohen kushtet në këtë institucion.

Rastet që SHSKUK-ja nuk kthen përgjigje janë të shpeshta.

Dëmtimet e tualeteve janë të mëdha, në shumë prej tyre rrjedhë uji.

Pothuajse asnjëra prej tyre nuk është e rregullt. Shumë kapakë të guacave tashmë janë të thyera e ndonjëherë guaca ka dalë plotësisht nga vendi.

Spitali Pediatrik është lëshuar në punë që një vit e gjysmë. Kushtet në këtë spital janë të mira. Por po ashtu për pacientët fëmijë nuk ka shampon e as letra.

SHSKUK-ja ka dështuar që për shumë muaj të furnizojë klinikat me materialet e domosdoshme.

Në një kërkesë të cilën e ka KOHA e që mban datën e fundit të nëntorit të vitit të kaluar, thuhej që tenderi për këto materiale ishte në fazën e vlerësimit.

Siç ka mësuar KOHA, paratë e këtij tenderi kanë shkuar në suficit.

KOHA ka provuar të kontaktojë mjekë të QKUK-së të cilët do të shpjegonin rrezikun e infeksioneve brendaspitalore kur nuk përmbushen kriteret e higjienës, por për shkak që bëhet fjalë për QKUK-në, ata nuk kanë dashur të deklarohen.

Në vazhdimësi ka pasur raporte të cilat dëshmonin shkallë të lartë të infeksioneve që pacientët i marrin në QKUK gjatë trajtimit.

{gallery}