Vlera e koeficientit të pagës javën e ardhshme në Kuvend

Punonjësit e sektorit publik pas një muaji pritet të marrin pagat me Ligjin e ri, por ata ende nuk e dinë se sa do të jetë shifra e tyre.
Ekzekutivi ende nuk ka bërë të ditur vlerën e koeficientit, e cila pritet të përcaktohet me Ligjin për buxhetin, që brenda pak ditësh do të shkojë për plotësim-ndryshim në Kuvend.
Në Ministri të Punëve të Brendshme thonë se janë afër finalizimit, por nuk kanë dhënë shifër se sa do të jetë shuma e koeficientit.
“Jemi në finalizim të procesit, por siç është deklaruar edhe më parë brenda muajit janar do të përfundojnë të gjitha procedurat e mbetura dhe njëkohësisht do të bëhet publike dhe vlera e koeficientit”, tha Nora Fetoshi, zëdhënëse në MPB.
Brenda Qeverisë janë diskutuar disa propozime, ku vlera sillet nga 92 euro deri në 110 euro.
Nëse shuma prej 745 milionë eurosh për paga në buxhetin për 2023 nuk ndryshohet, atëherë vlera e koeficientit nuk do të jetë më e lartë sesa 110 euro.
Në Shoqatën sindikale të Shërbyesve civilë kanë paralajmëruar se nëse shuma është më e vogël se 130 euro, ligjin do ta dërgojnë në Kushtetuese.
“Pritjet janë të vogla. Unë shpresoj që me plotësim-ndryshim të Ligjit për buxhetin, që në të duhet të përfshihet vlera e koeficientit duhet të rritet buxheti për paga, pasi me këtë buxhet që është as nuk do t’i afrohet shumës që e kemi propozuar...Kam frikë që kjo shumë nuk do ta marrë as vlerën e koeficientit prej 120 eurosh. Kam frikë se do të jetë më i vogël, pasi që flasim për shumë pozita që i rritet paga”, tha Ali Sefaj, përfaqësues i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civilë.
Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se brenda pak ditësh qeveria do ta përcjellë vlerën e koeficientit në Kuvend.
“Koeficientin besoj shumë shpejtë qeveria brenda pak ditësh, nëse jo këtë javë, javën tjetër gjithsesi do e përcjellë në Kuvend, të miratuar në kuadër të projektligjit për buxhetin, me ç’rast do të bëhet një plotësim-ndryshim i projektligjit për buxhetin, në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktikë e cila pastaj do ta thjeshtësojë shumë punën në trajtimin e pagave dhe koeficienteve në vitet në vijim për arsye se mund të rishikohet në kuadër të projektligjit për buxhetin”, tha Kusari-Lila.
Nga opozita kanë kritikuar mospërcaktimin e vlerës së koeficienteve, duke thënë se kjo duhet të bëhet përmes një debati të gjerë, e jo të jetë përcaktim i një individi.
“Duhet të arsyetohet qartë nga qeveria që se bashku me gjithë këta akterë pse vendosën me qenë kaq vlera e këtij koeficienti. Mirëpo ne e shohim që tani kemi një qeveri që po rrëshqet në drejtim të një autoritarizmi, dhe siç duket kjo i jep një lloj kënaqësie kryeministrit Kurti që të jetë ai në fund që e thotë fjalën e vet dhe që në bazë të asaj fjale do të marrë pagën secili qytetar që paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës”, tha Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro, nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime. Sipas tij, vlera e koeficientit duhet të jetë 137.5 euro.
Ligji për paga hyn në fuqi më 5 shkurt.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.