Arbëri

Afati i aplikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës pritet të zgjatet edhe dy vjet

Viktima

Në fillim të muajit shkurt do të përfundojë afati i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. E për zgjatjen e këtij mandati Qeveria ka nxjerrë në diskutim publik ndryshimet ligjore që mundësojnë shtyrjen e afatit edhe për dy vjet të tjerë. Në Qendrën për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës thonë se kanë kërkuar të mos ketë afatizime të tilla për këtë proces të ndjeshëm

Vetëm 16 ditë pa përfunduar afati pesëvjeçar i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Qeveria ka nxjerrë në diskutim publik ndryshimet ligjore që mundësojnë zgjatjen e mandatit. Në draft-projektligjin e publikuar të enjten në platformën për konsultime publike, parashihet që afati të zgjatet edhe për dy vjet të tjerë.

Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, ndonëse kanë mirëpritur zgjatjen e afatit për aplikim të njohjes së statusit për viktimat e dhunës seksuale, thonë se kërkesë e tyre ka qenë mosafatizimi i këtij procesi. Drejtoresha ekzekutive, Feride Rushiti, ka thënë se në rajon nuk ka përkufizime të tilla kohore.

“Si organizata ne nuk kemi kërkuar afatizim për faktin se krimet e luftës nuk parashihen dhe e drejta në krimet e luftës nuk është dashur të afatizohet. Megjithatë në bashkëbisedim me personat përgjegjës dhe me institucionet e Kosovës na është bërë me dije që është më mirë të mendohet një afat i caktuar kohor në mënyrë që me pasë mundësi të mobilizohemi edhe organizatat që punojnë me këtë grup, si edhe vetë të mbijetuarit dhe familjarët për të aplikuar”, ka thënë Rushiti.

Rushiti thotë se përveç shtyrjes së mandatit, ky grup i shoqërisë ballafaqohet edhe me një sërë pengesash dhe sfidash të tjera, nisur nga marrja e shërbimeve shëndetësore.

“Në atë kohë kur kemi avokuar për ligjin, për ndryshime ligjore, për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, kemi kërkuar që në fund statusi i tyre përtej që njihet, ky grup i ndjeshëm të pajiset me një kartelë si viktimë civile ku në këtë formë ata nuk zbulohen para institucioneve apo mekanizmave të tjerë të shoqërisë. Megjithatë kjo ende ngec për faktin që ai lloj kartelizimi nuk duhet të vlejë vetëm për grupin që ne përfaqësojmë këtu, duhet të vlejë për të gjitha grupet që burojnë nga ky ligj qoftë për familjarët e të zhdukurve, qoftë për invalidët e luftës dhe kategoritë e tjera”, ka thënë tutje Rushiti.

Bazuar në të dhënat e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, që ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018, statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar 1.406 persona.

Në Qendrën për rehabilitimin e viktimave të torturës konsiderojnë këtë shifër të ulët në raport me numrin e përgjithshëm që mendohet.

“Që nga fillimi i procesit me 5.2.2018 e deri më 31.12.2022 kemi pranuar gjithsej 1.870 aplikacione, ndërsa vetëm gjatë vitit 2022 kemi pranuar gjithsej 247 aplikacione. Në proces janë 71 aplikacione”, thuhet në përgjigjet e Komisionit Qeveritar për KOHËN.

Sipas këtij komisioni, 259 është numri i aplikuesve që u është refuzuar kërkesa për njohje të statusit të viktimës.

Edhe pse kanë kaluar gati 24 vjet nga përfundimi i luftës, ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Nga institucionet ndërkombëtare që hulumtojnë këtë fenomen thuhet se numri i tyre të jetë deri në 20.000.

Ligji nr. 04/L-172 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktima civile dhe familjarëve të tyre, ka hyrë në fuqi më 2014 e i është dashur katër vjet për t’u implementuar. Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit gjatë periudhës 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999.

Në vitin 2017, Qeveria kishte marrë vendim për caktimin e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Sipas atij vendimi të Qeverisë, pensioni për këtë kategori do të ishte 230 euro.