Arbëri

Vërshimet, IKSHPK-ja rekomandon që uji të vlohet para përdorimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se si pasojë e vërshimeve që kanë prekur të enjten vendin, janë vërejtur ngritje të vlerës së turbullirës në shumicën e resurseve ujore.

Në njoftimin e IKSHPK-së, thuhet se turbullira të shtuara janë regjistruar në disa burime dhe si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat si KRU “Prishtina”, te fabrika në Shkabaj dhe fabrika në Drenas. KRU “Mitrovica”, te fabrika e Shipolit në Mitrovicë dhe te fabrika në Balice të Vushtrrisë. Te KRU “Hidrodrini”, te burimi Drini i Bardhë – Radavc dhe te burimi Shkozë në Junik. Te KRU “Gjakova”, në rajonin e Gjakovës, përkatësisht te burimi në Demjan dhe Gërqinë, si dhe te KRU "Bifurkacioni" në rajonin e Ferizajt, te fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik.

“Në mostrat e grumbulluara deri sot nga rajonet me të reshura të shtuara, analiza laboratorike fiziko-kimike rezultojnë me vlerë të ngritur të turbullirës cila i tejkalon vlerat standarde të lejuara. Mostrat për ekzaminim bakteriologjik deri më sot rezultojnë brenda standardeve të parapara. Uji në rrjetet shpërndarëse nga këto sisteme për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës nuk është brenda standardit të paraparë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Instituti ka rekomanduar konsumatorët që uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse.