Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, e ka falënderuar Lëvizjen Vetëvendosje që siç u shpreh ai, nuk e ka harruar në një video të publikuar në ditët e fundit.
Jasharaj i ka quajtur shpifje ato që janë thënë në videon e publikuar nga LVV-ja, pjesë e të cilës është edhe Jasharaj bashkë me shkrimin “Institucionet nuk shantazhohen më nga sindikatat partiake”.
Ndërsa, me ironi ka thënë se nuk i ka pëlqyer fotografia që ia ka përdorur.
“Edhe tani kur publikuan një video tjetër nuk dua të kritikoj e të flas për cilësinë e dobët dhe pa përmbajtje të kësaj video, por dua ta kritikoj regjisorin dhe skenaristin për foton time. Fotoja që kanë përdorë është më e keqja. Unë nuk jam i bukur, por ama ka shumë foto të mijat që janë më të mira se kjo në video. Regjisorin dhe skenaristin i lus me mirësi për një marrëveshje. Ata le të vazhdojnë të krijojnë shpifje e rrena dhe t’i kthejnë në video propaganduese, por të drejtën për zgjedhje të foto le të mos ma mohojnë. Nëse nuk kanë kohë duke u marrë me shpifje e rrena të kërkojnë në google, atëherë le të ma dërgojnë një adresë dhe unë u premtoj se për videon tjetër do t’ua dërgoj ndonjë foto timen që më pëlqen”, u shpreh ndër të tjera ai.
Ai falënderoi VV-në që s’e ka harruar atë as në “këtë veprën e fundit ‘artistike’”.
Ndryshe, para tri ditësh, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video e titulluar “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.
Kurse: “Nuk ka vjedhje, zhvatje, hajni. Pasurim të politikanëve nga politika. Nuk ka pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin. Nuk ka nënshtrim dhe nuk ka nënshkrim kundër Republikës së Kosovës. Ka shtet sepse s’ka banda. Ka zhvillim sepse s’ka hajni. Ka vizion sepse s’ka mësymje private. Ka shtet sepse ka shoqëri, ka qytetari. Ka REPUBLIKË!”, është shkruar krahas videos së Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.