Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e Avni Kastratit lidhur me lirimin nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Slloveni, përmes së cilës ka kërkuar të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 22 shtatorit 2021.
Kastrati bashkë me 11 ambasadorë të tjerë ishin liruar nga detyra nëpërmjet një dekreti të presidentes së Kosovës. Kundër dekretit të presidentes, Kastrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, ndër tjerash, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, një dekret i presidentes nuk mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrativ, por i njëjti mund t’i nënshtrohet vetëm procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.
Kastrati ka pretenduar se duke mos vlerësuar ligjshmërinë e dekretit të kontestuar, gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuar me nenet: “7 [Vlerat], 65 [Kompetencat e Kuvendit], 84 [Kompetencat e Presidentit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës”, ka njoftuar gjykata.
Kjo sepse, mes tjerash, Kastratit i ishte mohuar e drejta për të përdorur mjetet juridike efektive në gjykatat e rregullta për të mbrojtur të drejtat e tij subjektive.
Gjykata ka thënë se hedhja poshtë e padisë së Kastratit ka cenuar të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për ‘qasje në drejtësi’ në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykata konkludoi se, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme i 22 shtatorit 2021, Aktvendimi i Gjykatës së Apelit i 13 korrikut 2021, dhe Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i 1 qershorit 2021, nuk janë në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.