Arbëri

Chollet: Asociacioni garanton dëgjimin e zërit të serbëve të Kosovës

Derek Chollet - SHBA

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se formimi i Asociacionit do të garantonte që të dëgjohej zëri i serbëve të Kosovës.

Chollet gjatë një birfingu të mërkurën mbrëma me përfaqësues të mediave, pas takimeve që pati me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ka thënë se nuk do të lejohet që në Kosovë të formohet një “Republikë Serbe”.

Chollet ka pasur diskutime të mërkurën edhe me përfaqësues të Listës Serbe dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

“Ne e dëgjuam sot se Asociacioni është shumë i rëndësishëm për komunitetin serb në Kosovë. Është një mënyrë për të siguruar që zërat e tyre dëgjohen dhe të drejtat u mbrohen plotësisht. Dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është diçka për të cilën ne kemi avokuar në të gjitha nivelet e qeverisë, kemi folur me të gjithë akterët do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Chollet ka deklaruar se ka ardhur koha që të thyhet “cikli i stagnimit”.

“Është koha që të merremi me punët që kemi përpara dhe një nga porositë që jemi duke çuar këtu dhe në Beograd është se duam ta zgjerojmë energjinë tonë, energjinë diplomatike të SHBA-së, në angazhimin drejt të ardhmes euroatlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak të asaj energjie në menaxhimin e krizave, apo kalimin nga kriza në krizë. Për këtë arsye porosia jonë për këtu dhe për Beogradin është që nuk duhet të ketë akte provokuese, duhet të synohet de-përshkallëzimi dhe duhet të punohet me punët përpara”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka insistuar se nuk do të lejojë themelimin e një Asociacioni njëetnik. Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon të ketë një Asociacion të tillë.

Këshilltari Chollet ka thënë se Asociacioni duhet formuar bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

“Ne besojmë që Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e fascilituar dhe të udhëhequr nga BE-ja, që punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për marrëdhënie të normalizuara që ka në qendër njohjen reciproke”, ka deklaruar këshilltari Chollet.

Ai ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë.

“Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do të përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën”

Chollet ka njoftuar nëpërmjet Twitterit edhe për takimet me Listën Serbe e me shoqërinë civile.

“Takim informativ me anëtarët e Listës Serbe. E vlefshme t’i dëgjojë shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Serbët e Kosovës duhet të jenë në institucionet e Kosovës. Ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Chollet në Twitter.

E për takimin me përfaqësues të shoqërisë civile Chollet shkroi: “Kam shijuar diskutimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë. Vlerësojë rolin e rëndësishëm që luani në avokim për të gjithë qytetarët dhe mbajtjen përgjegjës të institucioneve. Angazhimi i juaj avancon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe përkrah përfshirjen e gjitha komuniteteve në Kosovë”.

Me Pako të Ahtisaarit, komuniteteve, veçanërisht komunitetit serb i garantohen të drejta të avancuara në Kosovë, përfshirë 10 vende të garantuara edhe në Kuvend.

Në asnjë shtet të Evropës nuk ka të drejta më të garantuara për komunitete, ka thënë më herët kryeministri Kurti.

Kurti madje e ka quajtur Pakon e Ahtisaarit si kompromis të dhimbshëm.

“Paqja erdhi pas rezistencës sonë dhe ndërhyrjes së NATO-s. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë, pakoja e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë as pas një dekade dialogu në Bruskel”, kishte thënë Kurti vjet në një konferencë për media.

Delegacioni Amerikan, i udhëhequr nga Chollet, sot do të jetë në Beograd ku do të bisedojë me krerët e Serbisë.