Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës 9 milionë euro në vit.
Dreshaj ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se me ligjin ekzistues, nga viti i kaluar askush më nuk shkon në pension kontributdhënës por vetëm në pension bazik.
“Llogaritet diku kostoja rreth 139 milionë euro, ndërkaq Qeverisë i kushton 9 milionë euro në vit për ta zgjidhur këtë problem. Ky ligj nuk ka kosto të madhe buxhetore, këtë herë Kushtetuesja ka thënë që është ligj diskriminues neni 8.2. Kushtetuesja i obligon Qeverinë dhe Kuvendin që deri në mesin e korrikut ta zgjidhin këtë problem. Nga viti 2022 askush më nuk shkon në pensionin kontributdhënës, asnjë më si ka 15 vite për shkak të moshës”, ka thënë Dreshaj.
Sipas tij, ky ligj është që nga legjislatura e vitit 2014 duke shtuar se ka ardhur një moment kur duhet t’i bëhet një zgjidhje e shpejtë këtij problemi.
Ai ka folur edhe për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, duke thënë se është e pandershme që dikujt t’i ndalet e drejta që paratë që i ka kursyer të mos mund t’i shfrytëzojë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese disa nene të Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, si dhe disa të Udhëzimit Administrativ për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.