Situata e furnizimit me barna në SHSKUK është alarmante. Në secilën klinikë mungon një pjesë e madhe e barnave. Të enjten shumë qytetarë i janë drejtuar KOHËS me ankesa duke treguar për mungesën e barnave në klinikat e ndryshme. Një qytetar ka dërguar dëshmi se si çdo ditë blen barna në vlerë 90 euro për familjarin e sëmurë. Përveç tjerash, SHSKUK-ja nuk i ka së paku 15 lloj barnash për trajtimin e kancerit.
Rritja e buxhetit për barna në vitin 2022 nuk e zgjodhi problemin e furnizimit me to.
Në vitin 2022 vetëm për Listën Esenciale ishin ndarë rreth 30 milionë euro. Gjatë gjithë vitit pati mungesë barnash.
Por tash e dy javë mungesat janë shumë të mëdha.
SHSKUK-ja si institucioni më i rëndësishëm në vend e ka filluar janarin me mungesa bazike të barnave të Listës Esenciale. Vetëm gjatë të enjtes një numër i madh i pacientëve e kanë kontaktuar KOHËN dhe kanë rrëfyer se me çka po ballafaqohen në këtë institucion. Kryesorja është mungesa e barnave. E Lista që e kanë përshkruar është shumë e gjatë. Ndër to janë: B-Complex ampula; Ampula Bisolvon; Aspirin tableta; Sol. Nutriflex; Sol. NaCL 100 ml; Cellcept; Infleximab; Nivolumab; Albumina.
KOHA e ka kontaktuar MSH-në e SHSKUK-në, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Qytetarët posedojnë dëshmi për atë se sa i kushtueshëm është trajtimi i tyre në QKUK për shkak të mungesës së barnave.
Familjari i një pacienti, i cili e ka kontaktuar KOHËN, ka thënë që shpenzimet ditore vetëm për barna i kanë rreth 90 euro. Çdo ditë kjo familje shpenzon këtë shumë parash për shkak që SHSKUK-ja po dështon ta rregullojë furnizimin.
Këto që thotë ky familjar dëshmohen nga dokumenti që ia ka lëshuar QKUK-ja e ku përshkruhen barnat që mungojnë, si dhe fatura nga barnatorja private. Të dy shkresat janë të datës 4 janar 2023.
KOHA të enjten ka qëndruar edhe në afërsi të Klinikës së Onkologjisë.
Stafi shëndetësor e edhe pacientët kanë rrëfyer për mungesat e shumta.
Për shkak të gjendjes së këtyre pacientëve nuk po publikohen ankesat e tyre. Por, numri i barnave që kanë thënë se mungojnë është i madh.
Sipas tyre, mungojnë barnat që janë pjesë e imunoterapisë, siç janë: Nivolumab e Keytruda. Çmimi i të dyjave fillon nga më shumë së 1 000 mijë euro.
Barnat e tjera që mungojnë janë:
Herceptina - çmim i saj është mbi 1000 mijë euro.
Mungojnë edhe barnat e kancerit, siç janë: Carboplatina e Cisplatina.
Mungon terapia hormonale për prostatë, që janë Androkor, Casodex.
Mungon terapia hormonale për kancerin e gjirit e quajtur Tamoxifen.
Mungon Bacillus Calmette-Guerin (BCG), terapi për tumorin e fshikëzës.
Po ashtu mungon bari Sutent për të sëmurët me kancer të veshkave, Zometa për atë të eshtrave e shumë të tjera.
Për të gjitha këto janë kontaktuar përmes një emaili të përbashkët: U.d. drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Raçi, kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Aida Rexhepi, e po ashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Askush deri tash nuk ka kthyer përgjigje.
KOHA në fillim të javës ka raportuar që SHSKUK-së i kanë shkuar rreth 1.3 milionë euro të barnave në suficit për shkak që nuk i kanë shfrytëzuar për blerjen e tyre.