Arbëri

Shala: Shteti dështoi ndaj “Kobrës”, kishte 16 vepra penale që mund të dënoheshin me burgim efektiv

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, ka thënë se të gjitha veprat penale të cilat i ka kryer Dibran Hoxha, i dyshuari për vrasjen e së martës në Prizren pranë lokalit të tij, dënohen edhe me burgim efektiv, gjë që nuk ka ndodhur nga organet e drejtësisë.

Sipas Shalës, shteti ka dështuar në gjykimin ndaj këtij personi, pasi për 12 prej veprave penale i është shqiptuar dënim me gjobë, ndërsa për katër të tjera dënim me kusht.

“Në shkurt të vitit 2022 IKD dhe Betimi për Drejtësi kanë publikuar një analizë ku kanë treguar për problemet e shumta të z.Hoxha me drejtësinë. Ai është i dënuar me 16 vepra penale. Në asnjërën prej tyre nuk kemi pasur të shqiptuar burgim efektiv, në 12 prej tyre kanë qenë të shqiptuara dënime me gjobë ndërsa 4 prej tyre dënim me kusht. Kjo është qasje shumë problematike. E kemi parasysh që mund të ndodhë që në ndonjë rast mos të arrihet qëllimi i dënimit për këtë arsye në rastin pasues gjykata merr parasysh recidivizmin që i rëndohet dënimi i cili nuk ka arritur të rëndohet me dënim të parë”, ka thënë Shala

Ai ka theksuar se ndaj Hoxhës nuk është vepruar me politikë adekuate për ta parandaluar përfshirjen e tij në vepra të tjera penale.

“Lëndime të lehta e të rënda trupore, armëmbajtje pa leje, dëmtim i pasurisë së huaj, kanosje dhe nuk jam i sigurt nëse ka qenë edhe për pjesëmarrje në rrahje. E përbashkëta e këtyre rasteve është që në asnjërën prej tyre nuk kemi të bëjmë me dënim efektiv. Secila prej këtyre veprave penale dënohet edhe me burgim efektiv. Shteti ka dështuar ndaj një personi të vetëm”, ka thënë Shala duke shtuar se për këtë rast është kërkuar që të reagojë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe ai Gjyqësor.

Shala ka shtuar se institucionet kompetente duhet të japin përgjegjësi publike dhe të sqarojnë rrethanat në rastin e Hoxhës, i njohur si “Kobra”.

“Për institucionet e sistemit të drejtësisë duhet të jetë një alarm që duhet të ketë një qasje më të kujdesshme, një hetim më të gjerë kur një person kryen vepra penale për 15-16 herë. Kërkohet domosdoshmërisht që institucionet relevante të japin përgjegjësi publike dhe të sqarojnë të gjitha këto rrethana”, ka thënë ai.

Vrasja e së martës në Prizren dyshohet se ka ndodhur pas konfliktit lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve në lokalin “Kobra City”, ka konfirmuar Admir Shala, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren. Një 31-vjeçar me inicialet V.C. vdiq si pasojë e plagëve të marra.