Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Abelard Tahiri – Shefi belaxhi

Është shef i grupit parlamentar më të madh opozitar dhe gjatë përplasjeve me pushtetin ka shpërthyer edhe në sharje.

Abelard Tahiri u ngrit më këmbë, iu lëshua mikrofoni dhe nisi një replikë ndaj ministres Albulena Haxhiu. Meqë me ta marrë fjalën deputetët e Vetëvendosjes nisën të bënin zhurmë, ai iu kundërpërgjigj: “Rob’t jau q...”. E shara u bë virale menjëherë dhe brenda seancës kërkoi falje.

Por, u akuzua se e përsëriti në nëntor. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se pasi Tahiri nxori një sërë akuzash ndaj ministres Haxhiu në foltore dhe pasi e mbylli mikrofonin, iu drejtua atij me një sërë kërcënimesh e të cilat i shoqëroi me të shara e fyerje.

Tahiri ka qenë ministër i Drejtësisë dhe replikat më të mëdha i pati me ministren Haxhiu. Por, pati edhe momente konsensusi mes tyre. Pasi për muajsh të tërë kanë dalluar në çështjen e vettingut, në fund u pajtuan për ngritjen e një komisioni në Kuvend, me mandat për të hartuar ndryshimet kushtetuese e ligjore, si parakusht për nisjen e këtij procesi në sistemin e drejtësisë.