Vitin 2022 e kanë shoqëruar zhvillimet dramatike në veriun e Kosovës. Vendimeve të qeverisë për vendosje të reciprocitetit në dokumente identifikuese e për heqjen nga përdorimi të targave të lëshuara nga Serbia, iu kundërvunë serbët e Kosovës. Bllokimi i rrugëve kryesore drejt pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë - Jarinjë e Bërnjak - sulmet ndaj zyrtarëve policorë, braktisjet e institucioneve nga serbët, ishin vetëm disa nga zhvillimet që shënuan vitin 2022
Barrikadimi i rrugëve, sulmet me mjete shpërthyese, forcat e shtuara të sigurisë, e protestat, janë vetëm disa nga karakteristikat që as gjatë vitit 2022 nuk iu ndanë veriut, kësaj pjese të ndjeshme të Kosovës.
Banorët e komunave të banuara me shumicë serbe, as gjatë vitit që lamë pas nuk gjetën qetësinë.
Shpërthimet e alarmet vazhduan të jenë pjesë e rutinës së tyre, derisa tensionet veç sa shtoheshin.
29 qershor - E gjitha nisi me dy vendime të Qeverisë së Kosovës. I pari do t’i jepte fund përdorimit të targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës, e i dyti do të vendoste reciprocitet në dokumentet identifikuese.
Planifikimet e Qeverisë, që vendimet të hynin në fuqi në fillim të gushtit, u prishën nga serbët kundërshtues.
31 korrik - Një natë para hyrjes në fuqi, rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, u barrikaduan, zyrtarët policorë u sulmuan e shqiptarët në veri u maltretuan.
Rritja e tensioneve në veri, me një kërkesë të qartë, e çuan ambasadorin e SHBA-së në zyra të krerëve shtetërorë.
"Dua të jem i qartë. Nuk duam që këto vendime të rishikohen. Duam edhe të jemi të qartë se jemi të shqetësuar se disa individë po i shprehin pakënaqësitë mes vendosjes së barrikadave dhe mohimit të lirisë së lëvizjes”, pati thënë Jeffrey Hovenier.
Kërkesa e Amerikës u miratua e afati për zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë u shty për 30 ditë. Barrikadat u hoqën.
Por, shtyrja e afatit nuk e përmirësoi situatën në terren. Sulmet kryesisht në drejtim të policëve vazhduan.
18 gusht - Pa sukses, për gjetjen e një zgjidhjeje, kishin përfunduar edhe takime në kuadër të dialogut me Serbinë.
Megjithëkëtë, Kosova arriti që reciprociteti në dokumente të kryejë punë.
27 gusht - Serbia filloi t’i njohë dokumentet e Kosovës, e me të kaluar kufirin qytetarët nuk do të pajiseshin me dokument për hyrje-dalje nga autoritetet serbe.
30 gusht - Arritja e marrëveshjes për letërnjoftime nuk ndryshoi vendimin për targat. Nga 1 shtatori, serbët do të kishin dy muaj kohë që t`i konvertonin targat e tyre në RKS.
Paralajmërimet për tensione me të nisur së rrjedhuri ky afat, nuk i bënin edhe aq përshtypje kreut të Qeverisë.
“Nuk jam as polic, as prokuror, as gjykatës…Jam kryeministër i Kosovës”, qe shprehur kryeministri Albin Kurti.
Serbët e interesuar që t’i konvertonin targat në RKS u sulmuan, e pronat e tyre u dëmtuan.
Krahas sulmeve, institucioneve të Kosovës iu rrit edhe presioni nga ndërkombëtarët për shtyrjen edhe më tej të afatit për targat ilegale.
23 tetor - Epilogu i vendimit pas 1 nëntorit nuk dihej, e krerët institucionalë insistonin se presioni duhej t’i drejtohej Serbisë e jo Kosovës.
“Ne nuk duam asnjëherë t’i befasojmë aleatët e miqtë, por kriminelët”, pati thënë Kurti më 25 tetor.
28 tetor - Me gjithë refuzimin se nuk do ta shtyjë vendimin për targat, Qeveria e Kosovës gjeti një mënyrë kreative se si ta bëjë atë.
Qeveria e Kosovës u spraps për vendimin e targave. Zbatimin e saj ajo e shtyu duke e ndarë atë në disa faza. E para parashihte qortimin e serbëve për 3 javë, pastaj nga 21 nëntori gjobitja e tyre, faza e tretë parashihte targat provuese nga janari deri në prill, e tek në prill vendimi për targat ilegale do të zbatohej në tërësi, duke ndaluar qarkullimin e tyre.
Me shkallëzimin e zbatimit të vendimit për targat ilegale nuk u ndanë të kënaqur serbët.
Në koordinim me Serbinë, përfaqësuesit e tyre në institucionet e Kosovës u larguan nga puna.
Nisur nga ministri Goran Rakiq, deputetë, kryetarë komunash, gjykatës, prokurorë, policë e asamblistë braktisën postet në institucionet qendrore e ato lokale.
Dorëheqjet krijuan boshllëqe në institucionet publike, e bënë që të shpallen zgjedhjet në katër komunat veriore.
20-21 nëntor - Situata e krijuar uli sërish në tavolinë krerët e Kosovës e të Serbisë, kryeministrin Albin Kurti e presidentin Aleksandër Vuçiq. Zgjidhje nuk u gjet, e shtyrja e nisjes së gjobitjes së serbëve që posedojnë targa ilegale u kërkua sërish.
Shtyrja u aprovua nga Qeveria e Kosovës, vetëm pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
48 orë ishte afati që palët kishin për arritjen e marrëveshjes për targa.
23 nëntor - Shtyrja kreu punë. Kosova pezulloi zbatimin e vendimit për targat ilegale e Serbia u pajtua që të mos lëshojë më targa të tilla. E gjithë kjo, nën kushtin që BE-ja të angazhohej drejt konkretizimit të propozimit franko-gjerman.
6 dhjetor - Por përgatitja e mbajtjes së zgjedhjeve u vështirësua. Në përpjekje për të funksionalizuar zyrat në veri, zyrtarë policorë e ata të komisioneve komunale zgjedhore u sulmuan.
Shpërthime të shok-bombave, e gjuajtjet me armë u shpeshtuan, teksa prezenca e Policisë së Kosovës në veri u shtua.
Rreziku i sigurisë vuri në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar komunash në veri. Pas vlerësimit të situatës, mbajtja e tyre u shty për prillin e të 2023-tës.
Derisa shpërthimet në veri vazhdonin, situata e sigurisë i shqetësoi të gjithë.
Arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq nën dyshimin se kishte marrë pjesë në sulmet ndaj zyrtarëve policorë e të komisioneve komunale në veri, vëri në lëvizje serbët.
Barrikadat u rikthyen në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, e ato u mbyllën përkohësisht.
Hedhjet me shok-bomba nuk u ndalën, e nga to nuk u kursyen as gazetarët e as zyrtarët e EULEX-it.
Numri i barrikadave veç shtohej, ashtu sikurse edhe serbët e vendosur në tenda që qëndronin pranë tyre.
Derisa rrugët ishin të barrikaduara me javë, institucionet e Kosovës pritnin largimin e tyre nga KFOR-i, e ky mision i NATO-s në Kosovë kërkonte dialog për to.
Ndonëse zgjidhja afatgjatë mes Kosovës dhe Serbisë nuk duket në horizont, barrikadat në rrugë e tensionet në veri mbetet të shihet nëse do ta shoqërojnë edhe vitin 2023.