Ndarjen e mbi 17 milionë eurove për mbulim të shpenzimeve të energjisë për banorët e veriut të Kosovës, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti e ka arsyetuar me “brishtësinë e situatës”. Të premten, Qeveria ndau 17.5 milionë euro për këtë qëllim dhe 20 milionë të tjera iu ndanë KEK-ut.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Zulfaj ka thënë se Qeveria s’ka qëllim që të ofrojë alternativë të sundimit të ligjit, por po paguan energjinë “duke pasur parasysh brishtësinë e situatës”.
“Udhërrëfyesi që kishim për energjinë ka vonesa, që u shkaktuan edhe nga kompania që s’i solli të dhënat me kohë e pastaj me mungesë. Mirëpo, ne s’po veprojmë në shpërputhje me situatën e sigurisë, por duke pasur brishtësinë e situatës, por asnjëherë duke ofruar alternativë ndaj sundimit të ligjit. Mund të ketë kohë shtesë për çështje të sigurisë, por jo alternativë të sundimit të ligjit. Nuk kemi sjellë asnjë alternativë që devijon nga obligimet tona ligjore, por as kjo s’do të ketë afat të përhershëm”, ka thënë Zulfaj. “Pajtohem që secili të jetë i barabartë para ligjit, por jam i bindur që shumica qytetarët e kuptojnë kontekstin në të cilin ne po merremi për të rregulluar një çështje që është neglizhuar për dy dekada. S’po flasim që të tolerohet me vite, por me kohë të arsyeshme, brenda një periudhe shumë të shkurtër, në të cilën kjo çështje do të rregullohet përfundimisht. S’do të ketë shtyrje pa afat. Sot s’mund të jap afat, por e di që s’mund të shtyhet pafundësisht”.
Zulfaj ka thënë se institucionet synojnë të ndajnë fonde shtesë për përshpejtim të integrimit të komuniteteve.
Ai i është përgjigjur edhe deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “shqiptarët s’kanë asnjë fuqi në veri”. Ka thënë se serbët s’duhet të frikësohen nga institucionet e Kosovës.
E ka cilësuar planin evropian, të mbështetur nga Franca e Gjermania, si bazë të mirë për diskutim. Ka thënë se ndërkombëtarët duhet të rrisin presionin mbi Serbinë “që të distancohet nga e kaluara me Millosheviqin dhe e tashmja me Putinin”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.