Arbëri

Gazetarët analizojnë barrikadat: Varësia prej ndërkombëtarëve, lirimi i Pantiqit e ndikimi ekonomik

Krizat në veri nuk mund të zgjidhen pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, derisa arsyetimi për lirimin e ish-policit serb, Dejan Panqit është i pabazuar, vlerësuan gazetarët e KOHËS të enjten në “Desku” të KTV-së. Sipas tyre e gjithë situata me barrikadat ka ndikuar edhe në ekonominë e Kosovës.

Gazetari Fitim Gashi, ka thënë se edhe njëherë u dëshmua se pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nuk mund të arrihet një zgjidhje për krizat në veri. Gashi ka thënë se problemi me barrikadat po përsëritet për shkak se Beogradi po i instrumentalizon për të arritur qëllime të tjera.

“U dëshmua se pa ndërhyrjen e SHBA-së dhe BE-së nuk do të arrihej një zgjidhje. Ka pasur shumë paqartësi sa i përket diskutimeve për largimin e barrikadave. Ka pasur një insistim të madh nga ana e serbëve se pa përmbushjen e kushteve nuk do të hiqeshin. E pamë që njëri kusht u përmbush, që ishte lirimi i Dejan Pantiqit. Gjithmonë ka qenë pala serbe ajo që ka paralajmëruar se një vendim do të merret kur bëhet fjalë për Kosovën. Në vazhdimësi barrikadat kanë qenë instrument i palës serbe, pra i Serbisë. Sa herë ka pasur kundërshtime nga Qeveria e Kosovës janë instrumentalizuar serbët e veriut”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, situata me barrikadat këto ditë ishte e ngjashme me atë të vitit të kaluar, ku si pasojë e vendimeve të Qeverisë, serbët i bllokuan rrugët me mjete të rënda.

Arsyetimin për lirimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës të mërkurën, gazetarja Saranda Ramaj e ka quajtur të pabazuar. Ramaj ka thënë se nuk ekzistonte asnjë rrethanë që do ta lehtësonte lirimin e tij në arrest shtëpiak.

“Ajo çka me saktësi duhet të potencohet është që në rastet e tilla është e pamundshme që proceduralisht dikush të lirohet me një arsyetim të tillë nga paraburgimi, pasi Kodi i Procedurës Penale është i qartë se në çfarë rrethanash dikush lëshohet nga paraburgimi. Nuk ka asnjë rrethanë që do ta lehtësonte. Ai nuk ka arritur kurrë në qendrën e paraburgimit që e menaxhon Kosova. Arsyetimi është i pabazuar kur thuhet se gjendja e tij shëndetësore ka qenë e keqe sepse kemi pasur raste që edhe njerëz me leukemi e me sëmundje të tjera kanë qëndruar në paraburgim”, është shprehur Ramaj.

Ajo i është referuar një deklarate të kryeministrit Kurti i cili ka thënë se Pantiq është i dyshuar për veprën terrorizëm, duke thënë se nuk di ndonjë rast kur një i dyshuar për një rast të tillë është liruar nga paraburgimi.

“Burime nga institucionet e drejtësisë thonë që Qeveria ka qenë në dijeni se një vendim i tillë do të merrej dhe flitet për një presion ndërkombëtar, ata po e quajnë dakordancë ndërkombëtare për një vendim të tillë. Duke e njohur deri në një masë Prokurorinë Speciale nuk besoj se pa ndonjë ndikim tjetër do të merrnin atë vendim. Pajtohem me reagimet e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor sepse në të tilla situata janë instancat e brendshme për shkelje, por deklarata e kryeministrit se dua të di emrin e prokurorit dhe gjyqtarit nuk është diskurs që do të duhej të përdorej”, ka shtuar Ramaj.

Ndërkaq, gazetarja tjetër Sanije Jusufi ka thënë se barrikadat e kanë rikthyer në Kosovë fushatën për t’i bojkotuar produktet serbe.

“Çdo herë kur ka tensione në veri ngjallen fushata që i bëjnë thirrje konsumatorëve që të mos blerjen e produkteve serbe. Me vendosjen e barrikadave janë funksionalizuar dy thirrje. Por në bilancin tregtar Serbia vazhdon të jetë një nga partnerët kryesorë që ka Kosova. Ka më pak mallra në sasi por jo edhe në vlerë e cila është më e lartë se viteve të kaluara”, ka thënë Jusufi.

Ajo ka folur edhe për mungesën e inspektorëve të tregut e që sipas saj, po ndikon që shumë markete të mos i kenë të vendosur flamujt e prejardhjes te produkteve që shiten.

“Kemi shumë markete ku nuk janë të vendosur fare flamujt. Kjo është edhe për mungesë të inspektorëve”, ka thënë Jusufi.

Në komunat në veri janë vendosur 13 barrikada nga serbët që nga 10 dhjetori. Barrikadat janë vendosur në formë proteste pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës. Pantiqi ishte arrestuar si i dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve të KQZ-së dhe Policisë në veri.

Të mërkurën, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Pantiqi është liruar në arrest shtëpiak, me arsyetimin se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

Ndërkaq, të enjten deri pasdite, në veri janë larguar të gjitha barrikadat nga serbët.