Misioni i NATO-s, KFOR, ka thënë se zgjidhja për shtensionimin e situatës në veri duhet kërkuar përmes dialogut, ndërsa ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës. Në një deklarim për media të premten, KFOR-i ka thënë se mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë të përfshirët në këtë situatë.
“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë akterët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”, thuhet në deklarimin e KFOR-it.
KFOR-i ka theksuar se nxisin palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut.
“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, vijon komunikata e KFOR-it.
Nga 9 dhjetori, rrugët që të çojnë në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak kanë mbetur të bllokuara për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët e veriut. Ata po kundërshtojnë arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se organizoi sulmin ndaj komisioneve komunale zgjedhore në veri.