Arbëri

Gërvalla thotë se nuk kanë asnjë njohje në tavolinë, opozita e kritikon për mungesë rezultatesh

Donika Gërvalla - MPJ

Mungesa e qartësisë sa u përket shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare e ka shoqëruar raportimin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, në Komisionin përkatës parlamentar. Ajo është kritikuar nga deputetët për injorim, mungesë të rezultateve në diplomaci dhe vendimmarrje të jashtëligjshme në rastet e shkarkimit të shumë diplomatëve

Deputetë të partisë në pushtet dhe ata të opozitës e kanë kritikuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për mungesë rezultatesh në këtë dikaster.

Por, Gërvalla ka thënë se në 2023-tën do të ketë lajme të mira në fushën e diplomacisë. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, përpos që paralajmëroi aplikimin e Kosovës në NATO, ajo tha se në të njëjtin vit do të korren rezultatet pas aplikimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

i partnerëve tanë ka qenë që të aplikojmë fillimisht në Partneritetin për Paqe. Jam optimiste për vitin 2023 dhe shpresojmë se fundi i këtij viti do ta gjejë Kosovën anëtare të Partneritetit për Paqe. Sa u përket njohjeve të reja, nuk kemi asnjë në tavolinë, por ka lëvizje. Nuk mund t'i shpërfaq hapat këtu. Ka pasur fushatë për çnjohje nga Serbia, por nuk kemi informata se është tërhequr ndonjë njohje. Serbia po mundohet të josh me armatime”, ka theksuar Gërvalla.

Kryetari i Komisionit, Haki Abazi, ka shfaqur pakënaqësinë me injorimin që u është bërë në rastin e organizimit të Konferencës së Ambasadorëve. Ai ka polemizuar me ministren edhe për një bisedë të mëhershme në korridoret e Kuvendit.

“Duhet një reflektim qoftë edhe nëse ka arsye personale. Na kujtohet biseda në korridor në Kuvend, kur thatë se nuk ndodh agresioni rus, por ndodhi diçka tjetër. Prandaj konsideroj se duhen përpjekje për koordinim. Punët pozitive vijnë nëse ka bashkëbisedim e kohezion mes nesh”, ka thënë Abazi.

Gërvalla është kundërpërgjigjur duke deklaruar se nuk merret me bisedat në korridore.

“Nuk jam për t'i komentuar bisedat e korridoreve, kemi bërë edhe të tjera, jo vetëm kjo, që nuk po më kujtohet mua”, ka shtuar ajo.

Gërvalla është kritikuar për mungesë rezultatesh edhe nga deputetët e opozitës, Ariana Shoshi-Musliu (PDK) dhe Time Kadrijaj (AAK).

“Rezultate janë zero për të gjitha ato që folët, sepse nuk ka pasur suksese. Me aplikimin në Këshillin e Evropës, krenoheni me rezultatet e Asamblesë, por ky është angazhim i Kuvendit, nuk mund të krenoheni ju me të. Ka stagnuar aplikimi në Këshillin e Evropës, ka ngelur në zyrën e zëvendëssekretarit, as sekretarit jo. Asgjë s’ka ndodhur më tej... Nuk keni lejuar qasje në dokumente, as nuk keni treguar shpenzimet e burrit të presidentes, Prindon Sadriu. Keni shkarkuar jashtëligjshëm shumë diplomatë, nuk po i pranoni vendimet e gjykatave për kthimin atyre diplomatëve në punë dhe për këtë Ministria do të gjobitet”, është shprehur Time Kadrijaj e AAK-së.

Për shpenzimet e Prindon Sadriut, Gërvalla është arsyetuar se vetëm janë vonuar në procedimin e dokumentacionit të kërkuar.

“Jemi vonuar në dërgimin e dokumentacionit, por nuk është dëmtuar buxheti se në dorë të shtetit kanë shkuar edhe ato para, është dëmtuar vetëm Ministria. Është temë shumë e vjetër kjo”, ka qenë përgjigjja e ministres.

Gërvalla është pyetur edhe për veprimet që janë duke i ndërmarrë për t’iu kundërvënë fushatës së Serbisë, e cila është duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo ka përmendur kërcënimin që Serbia ia ka bërë Islandës, në rast se e shtyn përpara aplikacionin e Kosovës.

“Që kur kemi hapur bisedën me partnerët, na është thënë se Serbia do të kundërshtojë fortë. Por ne të gjithë, nisur nga presidentja, kryeministri e deputetët kemi kontribuuar për t’iu kundërvënë fushatës së Serbisë. Tani jemi në rrugën e duhur. Kam dëgjuar për kërcënimin ndaj Islandës se Serbia nuk ia mbështet samitin, i cili organizohet në maj. Por ne po punojmë për t’i luftuar këto narrativa”, ka theksuar Gërvalla.

Mbledhja u përshkua edhe me përplasje dhe sugjerim të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, që të mos injorohej seanca e Kuvendit, e cila po mbahej në të njëjtën kohë.

Por bashkëpartiaku i saj, Abazi, refuzoi ta ndërpresë mbledhjen, duke thënë se mbledhja e Komisionit është caktuar para seancës.

Pavarësisht premtimit, ministrja nuk ia solli Komisionit edhe raportin vjetor, gjë të cilën tha se do ta bëjë më vonë.