Arbëri

BQK: Rritja ekonomike pritet të jetë 3 deri 4 për qind më 2022

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se këtë vit të hyrat nga shpenzimet e jorezidentëve, investimet e huaja dhe remitencat janë mbi 3 miliardë euro, ndërkohë vetëm remitencat e pranuara deri në fund të muajit tetor janë 1 miliard euro, që paraqet rritje prej 5.5 për qind për të njëjtën periudhë të vitit paraprak

Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 do të jetë 3 deri në 4 për qind.

Banka Qendrore e Kosovës e ka vlerësuar këtë si rritje të ngadalësuar dhe, sipas udhëheqësve të saj, kjo është rezultat i tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit. E për eksportet u shpreh se kanë ndikuar pozitivisht.

Në konferencën përmbledhëse për këtë vit të mbajtur të enjten, BQK-ja ka parashikuar rritje të njëjtë ekonomike edhe për vitin e ardhshëm.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se këtë vit të hyrat nga shpenzimet e jorezidentëve, investimet e huaja dhe remitencat janë mbi 3 miliardë euro, ndërkohë vetëm remitencat e pranuara deri në fund të muajit tetor janë 1 miliard euro, që paraqet rritje prej 5.5 për qind për të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

“Shpenzimet e jorezidentëve kanë arritur në 1.48 miliardë euro, apo me një rritje vjetore prej 26.1 për qind. Kur flasim për shpenzimet e jorezidentëve gjithmonë duhet të kuptojmë ose ndryshe mund t’i quajmë edhe si shpenzime të diasporës”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, rritja e kërkesës së brendshme gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në shtator të këtij viti u fiksua në 4.15 miliardë euro me rritje vjetore 24.6 për qind. Eksporti i mallrave është 688 milionë euro me rritje vjetore 27.1 për qind.

Importi i shërbimeve është 901 milionë euro, kurse eksporti 2.05 milionë euro.

Mehmeti tha se sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë nga publiku, duke u bazuar edhe në depozita të vazhdueshme.

“Në tetor 2022, vlera e përgjithshme e depozitave ishte 5.3 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 14.2 për qind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje 67.6 për qind në totalin e depozitave”, deklaroi Mehmeti.

Në konferencë u bë edhe ndarja e çmimit me titull “Ekonomistët e rinj”, për hulumtimet me temën “Ndikimi i inflacionit në tregtinë botërore, evropiane dhe atë të Kosovës”. Vendi i parë i është ndarë Njomza Jupës, i dyti Anisa Murselit dhe i treti Rozafa Hajdarit.