Banka Qendrore e Kosovës parashikon që në vitin 2023 rritja ekonomike në vend të shkojë në 3 deri 4 për qind.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në konferencën e fundvitit, ka thënë se parashikimet e BQK-së janë të ngjashme me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Ekonomia e Kosovës filloi në vitin 2022 me perspektivë të mirë si rezultat i vitit të suksesshëm 2021. U karakterizua me rritje 10.75 për qind. Gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikeve globale, e pasojat e luftës, u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normës së interesit, dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore. Sipas vlerësimit të BQK-së këtë vit parashikimet tona janë që rritja ekonomike në vend të sillet 3 deri 4 për qind. Ngjashëm me parashikimet që jep FMN”, ka thënë Mehmeti.
BQK: Mesatarja e inflacionit deri në nëntor të vitit 2022 arriti në 11.2 për qind
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se mesatarja e inflacionit deri në nëntorin e vitit 2022 ka arritur në 11.2 për qind, që është 3.4 për qind më i lartë se krahasuar një vit më herët.
Mehmeti ka thënë se Kosova ka ndërtuar një sistem financuar të shëndoshë në vend dhe ka dëshmuar se mund t’i përballojë edhe krizave siç ishte pandemia e agresioni rus në Ukrainë.
Ndërkohë sa i përket sektorit bankar, është thënë se deri në tetor të vitit 2022 vlera e kredive të reja arriti në 1.56 miliardë euro, apo rritje 13.6 për qind.
Remitencat në vitin 2022 arritën në mbi 1 miliard euro
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se remitencat në vitin 2022 në Kosovë kanë arritur në mbi 1 miliard euro, apo një rritje vjetore prej 5.5 për qind.
Ndërsa po ashtu ka pasur rritje të importit të mallrave për 24.6 për qind, apo 4.2 miliardë euro, ndërsa po ashtu edhe të eksportit, ku ka arritur vlerën e 688 milionë euro, apo rritje vjetore 27.1 për qind.
“Si rrjedhojë deficiti tregtar është 3.47 miliardë euro, apo një rritje prej 24.2 për qind”, tha Mehmeti.