Arbëri

Policia: Shpërthimet në veri dyshohet se u kryen me shok-bomba

Policia e Kosoves

Në veri të Mitrovicës të martën kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e shok bombave.

Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.

“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se shpërthimi i 20 dhjetorit në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi në afërsi të ekipit të televizionit Tëvë1.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë ndaj situatës së krijuar në veri të vendit, dhe u bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimeve të tyre nga kjo pjesë. Njëherësh, AGK-ja, sërish kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura që të sigurojnë gazetarët të kryejnë punë e tyre pa u rrezikuar e penguar”, thuhet në reagimin e AGK-së./REL