Arbëri

Berisha: Me skenarin destabilizues në veri, Vuçiq dëshiron të dështojë negociatat mbi planin franko-gjerman

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se është i papranueshëm mosdënimi i zhvillimeve në veriun e Kosovës nga faktori ndërkombëtar.

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të dënojnë skenarin destabilizues të Beogradit në veri, me të cilin sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kërkon të dështojë pa filluar negociatat mbi propozimin e fundit Franko-Gjerman për marrëveshje midis dy vendeve.

“I gjithë ky skenar i rrezikshëm dhe destabilizues ka si arkitekt kryesor Aleksandar Vuçiq. Ky skenar realizohet në një kohë kur dy vendet kryesore të BE-së, Franca dhe Gjermania, të mbështetura edhe nga SHBA-ja kanë paraqitur një plan për një marrëveshje, me gjasa më të rëndësishmen deri sot, midis Kosovës dhe Serbisë. Askush përveç Beogradit dhe Kremlinit nuk mund të jetë të interesuar për zhvillime të tilla dhe nuk përfitojnë më shumë se ata prej tyre”, thuhet në shkrimin e Berishës në Facebook.

Sipas tij, diplomacia ndërkombëtare nuk duhet të ballkanizohet, sepse një gjë e tillë e dëmton procesin e dialogut.

“Krijimi i idesë së indiferencës ndaj veprimeve të banditëve dhe kriminelëve të armatosur serb që bllokojnë rrugët, sulmojnë me armë zjarri policinë dhe hedhin granata ndaj mediave, shpreh në këtë rast fort delikat njëlloj ballkanizimi të diplomacisë ndërkombëtare, një gabim jo i vogël ky me pasoja të shumanshme, nga i cili përfitojnë vetëm bandat e armatosura dhe arkitekti i skenarit destabilizues Aleksander Vuçiq, i cili kësaj radhe po i përdor ato me qëllim që të silurojë propozimin serioz franko-gjerman”, ka shtuar Berisha.