Arbëri

Barrikadë e re në veri, ministri Sveçla pret për “reagim adekuat”

Një tjetër barrikadë është vendosur gjatë natës së të premtes në rrugën që çon në Zveçan, në veri të Kosovës. Përderisa janë shtuar thirrjet për heqjen e barrikadave të vendosura tash e tetë ditë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se ekzistojnë kapacitetet për heqjen e tyre, porse për reagim, po bëhet vlerësimi i situatës

Barrikadë e re është vendosur në veriun e Kosovës, që vazhdon t’i ketë të pakalueshme rrugët kryesore drejt pikave kufitare me Serbinë, prej së shtunës së kaluar. Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se barrikada është vendosur gjatë natës së të premtes, në rrugën drejt Zveçanit.

“Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen ‘Berxhane’, që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po e vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”, thuhet në komunikatën e Policisë. Ky institucion ka bërë të ditur se situata e sigurisë nuk ka ndryshuar, ndonëse dy pikat kufitare, Jarinjë e Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura.

“Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë. Dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tanimë për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale. Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare për qytetarë dhe mallra”.

Që prej vendosjes së barrikadave kërkesat për heqjen e tyre janë adresuar në vazhdimësi nga ndërkombëtarët.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Kosova i ka kapacitetet për t’i larguar ato, porse situata po vlerësohet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa. Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë, duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet”, ka deklaruar Sveçla.

Për mosveprim në drejtim të heqjes së barrikadave, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar të shtunën Qeverinë. Me postim në Facebook, ai ka bërë thirrje që veprimi të jetë i menjëhershëm. “Vështrimi nga larg nuk është zgjidhje. Kompromiset e mëtutjeshme, edhe më pak. Ushtrimi i sovranitetit dhe i shtetit ligjor, si dhe funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe konsistent institucional. Barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, “sovraniteti i shtetit po cenohet”. “E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!”, ka shkruar ai.

E nga Sindikata e Policisë së Kosovës është kërkuar veprim nga institucionet dhe nga qarqet ndërkombëtare për ta mundësuar ndërrimin e zyrtarëve policorë që veprojnë në veri.

“Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë janë duke i përcjellë nga afër këto zhvillime, si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policorë t’u bëhet ndërrimi”.

Serbët lokalë i kanë vendosur barrikadat në veri që nga e shtuna, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovën, Dejan Pantiq, nën dyshimin se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri.

Situata në veri ka bërë që Serbia t’i kërkojë KFOR-it që të lejojë kthimin e ushtarëve serbë. Kërkesa është miratuar në Qeverinë e Serbisë, të enjten, e i është përcjellë KFOR-it të premten.

Në pritje të një përgjigjeje është Serbia, ka thënë të shtunën ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Një ditë pas deponimit të kërkesës, ai ka thënë se nuk ka hapësirë që të diskutohet për çështje të tjera në kuadër të dialogut, përderisa ka situatë të tensionuar në veri të Kosovës.

“Nuk mund të bësh dialog serioz për disa çështje të mëdha e të rëndësishme, sepse çdo ditë dhe çdo javë po merresh me depërshkallëzimin dhe tejkalimin e problemeve të ndryshme. Derisa njerëzit janë në barrikada e serbët janë duke u arrestuar, është e vështirë të diskutosh për zgjidhje të përhershme në problemin me Kosovën”, ka deklaruar Daçiq për agjencinë serbe të lajmeve, “Tanjug”.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se me kërkesën për kthimin e ushtarëve, Serbia është duke i shpalosur qëllimet e saj.

Situatën aktuale në veri të Kosovës ajo e kualifikon si një lojë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ka pasur vazhdimisht patrullime, deri te edhe paraqitja e ambasadorit rus në kufi me Kosovën. Kjo nuk është se nuk është ditur apo parë, por nuk është thënë publikisht. Tash këto rrethanat e fundit kanë hequr edhe maskën e fundit të Vuçiqit karshi BE-së, ShBA-së për qëllimet dhe pretendimet e tij destruktive në dëm të Kosovës, madje edhe komuniteti serb në Kosovë”, ka thënë ajo për “Kosovapress”.

Në KFOR, të premten ia kanë konfirmuar KOHËS pranimin e kësaj kërkese dhe se aktualisht po bëhet shqyrtimi i saj.