Arbëri

25 gjyqtarë e 10 prokurorë serbë kanë dorëzuar dorëheqjet deri tani

Që nga data 7 nëntor e deri më tani - 25 gjyqtarë dhe 10 prokurorë nga radhët e komunitetit serb kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre edhe 119 të punësuar (staf administrativ dhe të tjerë) nga radhët e komunitetit serb, raporton “Betimi për Drejtësi”.

22 të punësuar si staf administrativ në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, nga radhët e komunitetit serb, i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Astrit Kolaj nga zyra e informimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka thënë se dorëheqjet i kanë dorëzuar vetëm prokurorët dhe stafi administrativ serb që kanë qenë të angazhuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Ndërsa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës me qëllim të mbarëvajtjes së punës në sistemin gjyqësor dhe mbulimit të mungesës së stafit në mbledhjen e 298-të ka miratuar ndryshimin e planit të punës së Gjykatës së Apelit si dhe ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore Mitrovicë.

Dorëheqjet e dorëzuara nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga radhët e komunitetit serb janë në proces të shqyrtimeve nga KGJK-ja dhe KPK-ja.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë gjyqësorin dhe prokurorinë, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Më 7 nëntor 2022 gjyqtarët dhe stafi administrativ serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre edhe formalisht.

Sipas Raportit Vjetor për vitin 2021 të Prokurorit të Shtetit, numri i prokurorëve të komunitetit serb është 14 apo shprehur në përqindje i bie 7.69 për qind. Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë rreth 19 gjyqtarë serbë. /BpD