Arbëri

Kurti paralajmëron aplikimin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se synimi kryesor i Kosovës vitin e ardhshëm do të jetë anëtarësimi në programin e Partneritetit për Paqe të aleancës ushtarake NATO.

Në një intervistë me gazetarët të enjten nga Praga, Kurti ka thënë se është e domosdoshme që Kosova të hyjë në këtë program, duke marrë shembull se si shtete si Serbia dhe Bjellorusia janë pjesë e tij e jo Kosova. 

“Tash jemi në muajin dhjetor dhe natyrisht që nuk mund të kemi aplikime të reja sivjet, por vitin e ardhshëm do të përgatitemi të integrohemi sa më shumë në organizmat ndërkombëtarë e një synim të veçantë e kemi Partneritetin për Paqe. Në programin e Partneritetit për Paqe nuk është vetëm fqinji ynë verior që ka qëndrim negativ ndaj NATO-s, por edhe Bjellorusia, e jo Republika e Kosovës. Është e domosdoshme që Kosova të hyjë në këtë program. E kemi dëshmuar me vlerat demokratike të perëndimit të zhvilluar, mbrojtjes dhe kapaciteteve ushtarake. Partneriteti për Paqe është gjëja e ardhshme e aplikimit tonë”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit e ka parasysh se anëtarësimi në këtë program është më i vështirë, porse zbuloi se po zhvillojnë takime me shtetet që janë vendimmarrëse në NATO.

“Sa i përket pranimit të aplikimit dhe realizimit të anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, aty ka më shumë faktorë. Në anën tjetër, ka shumë punë që bëhen e nuk dihen nga MPJ-ja, me lobimet, me takimet e dendura që i bëjmë me shtetet që e kanë vendimmarrjen”, ka deklaruar ai, duke thënë se një gjë pozitive mund të konsiderohet fakti se pjesë e NATO-s janë katër shtete mosnjohëse kundrejt pesë sa janë në BE.

Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE sot. Më herët gjatë vitit, ka aplikuar edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.


Kurti: Ne duam të ecim para, ndërkohë Beogradi do kthim në të kaluarën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dëshiron që të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Kurti ka thënë se derisa Kosova po dëshiron të ecë para në rrugën drejt BE-së, Beogradi synim e ka kthimin prapa.

“Jemi dy shtete fqinje që kanë nevojë për normalizim të raporteve. Duhet të shkojmë te ky normalizim nëpërmjet njohjes reciproke e në kuadër të vlerave evropiane, në kuadër të kornizës së BE-së, që konsideron se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet. Ne dëshirojmë të ecim para drejt anëtarësimit në BE, ndërkohë fatkeqësisht Beogradi insiston të kthehet në të kaluarën. Me veprimet që bëjnë ata duan të kthehen nganjëherë në vitin 2007 para shpalljes së pavarësisë së Kosovës e nganjëherë në vitin 1999 para çlirimit të Kosovës. Kthimi në të kaluarën nuk mundet as fizikisht, as logjikisht e as politikisht. Duhet të ecim para, besoj se Beogradi duke u përpjekur ta kthejë Kosovën në të kaluarën, po ngelet vet i ngujuar në të kaluarën”, ka thënë Kurti në një konferencë nga Ambasada e Kosovës në Çeki.