Arbëri

Policia për gjendjen në veri: Stabile, por janë bërë dëme të konsiderueshme materiale

Situatë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, po konsiderohet gjendja në veri të vendit nga Policia e Kosovës. Megjithatë, sipas njoftimit të Policisë, si pasojë e sulmeve ndaj institucioneve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në objekte dhe automjete.

Qe tri ditë në veri të Kosovës ka pasur sulme me shok-bomba e edhe me armë ndaj zyrtarëve policorë dhe zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore, që shkuan në katër komunat në veri në përpjekje për t’u organizuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të parapara për 18 dhjetor. Të enjten, një polic u plagos, ndërsa të premten u sulmuan edhe disa gazetarë.

“Referuar zhvillimeve aktuale në veri të vendit, Policia e Kosovës në vazhdimësi po përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë, konform të cilave edhe ka ndërmarrë masat e nevojshme duke rritur kapacitetet e saja policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike, mbrojtjes së jetës e pronës si dhe parandalimit të incidenteve dhe akteve të ndryshme kriminale. Situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individ apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore”, thuhet në deklaratën e Policisë të lëshuar të premten pasdite.

Policia ka thënë se do të vazhdojë me angazhimet në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike, përkundër sulmit ndaj policit në Zveçan e ndaj gazetarëve në Mitrovicë të Veriut. Sipas njoftimit, ka dëme të konsiderueshme materiale.

“Si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj njësitit policorë, një pjesëtar i Policisë së Kosovës ishte plagosur, i cili pas trajtimit mjekësorë është në gjendje të mirë shëndetësore. Në rastet tjera nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara në objekte dhe automjete”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se po zhvillon hetime intensive për t’i identifikuar dhe kapur të dyshuarit.