Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi kjo parti konsideron se ajo duhet të marrë përgjegjësi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, në një konferencë për media ka theksuar se dorëheqja apo shkarkimi i ministres Haxhiu tashmë është i vonuar, pasi siç tha ai, nuk mund të ketë hetim të drejtë pa largimin e saj nga ky dikaster.
“LDK vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore që ekziston në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është superskandal... Ministrja e Drejtësisë është e paaftë të menaxhojë ministrinë dhe e paaftë që të udhëheq sistemin e reformave në sistemin e drejtësisë. Prandaj, dorëheqja e saj është minimumi i përgjegjësisë në këtë rast dhe në plot raste tjera... Kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë”, ka theksuar Manaj.
Ai ka thënë se nuk mjafton vetëm pezullimi dhe vendosja para Komisionit Disiplinor e zyrtarëve të IML-së.
Manaj ka deklaruar se ky është një veprim me anë të të cilit mundohet të mbulohet përgjegjësia politike dhe institucionale e ministres së Drejtësisë, ku në rast të mos dorëheqjes së saj, ai kërkoi nga kryeministri Kurti që të shkarkojë Haxhiun.
Sipas tij mosdorëheqja ose mosshkarkimi i Haxhiut e bën përgjegjës edhe kryeministrin Kurti.
“Nëse ministrja e Drejtësisë nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme, e ftojmë kërkojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë. Nëse ai nuk e shkarkon, ne e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave. Ky është momenti që do të tregojë vendosmërinë e kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij për ta trajtuar me seriozitet dhe për ta zbardhur në plotni rastin e Astrit Deharit. Urojmë që zhdukja e këtyre mostrave të mos ndikojë në ndriçimin e rastit. Nëse ndodh që zhdukja e këtyre provave të ketë ndikim direkt në ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit, atëherë shtrohet pyetja, kujt po i intereson moszbardhja e këtij rasti”, ka theksuar Manaj.
Manaj i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale dhe organeve të rendit që të zbardhin shpejt “këtë rast kriminal të zhdukjes së mostrave dhe të gjithë akterët e involvuar të marrin dënimin e merituar”. / ksp