2 perditesime
12:41

Kurti për Asociacionin: Kam mbajtur burg për këtë punë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia paska pritur që ai të vinte në pushtet për ta formuar Asociacionin, kur dihet që ai është kundërshtar i madh i saj.

Kurti të premten në seancë të Kuvendit, ka theksuar se ai ka mbajtur burg për shkak të kundërshtimit ndaj Asociacionit.

Kryeministri ka thënë se Asociacionin do të duhej të zbatohej atëherë kur është nënshkruar, në vitin 2013 ose 2014, me ata që e kanë nënshkruar.

“Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër e të zbatohet ajo kur dihet veprimi e qëndrimi im? Pra, e paskan pritur kundërshtarin më të madh të Asociacionit për ta zbatuar Asociacionin. Edhe në aspekt politik e logjik është tërësisht e gabueshme. Po të ishte Asociacioni prioritet do ta zbatonin me ata që e kanë nënshkruar. Është shumë e qartë që nuk e duan Asociacionin si vlerë për vete por si armë kundër Kosovës. Është e vërtetë, unë kam bërë si aktivist politik e deputet opozitar kundërvajtje, por deputeti Hoti, unë kam mbajtur burg për këtë punë. Për të gjitha kundërvajtjet e mija kam mbajt burg. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet sepse janë ca kriminelë të tjerë që s’janë ende prapa grilave”, ka thënë Kurti, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, se përse nuk po vepron tash, kur sa ka qenë në opozitë ka gjuajtur gaz lotsjellës në kundërshtim të Asociacionit.

Sipas Kurtit, Beogradi po bën kërkesë fëmijërore lidhur me Asociacionin.

“Këtë gjë po na e bën Beogradi, po bën kërkesë fëmijërore pa e imagjinuar se çka ndodhë nëse kjo zbatohet së pari në Serbi. Në dialog unë jo vetëm që kam kërkuar të jemi të barabartë, që Kosova të jetë palë, e jo temë por në të njëjtën kohë me ketë qasje e kam mirëmbajtur barazinë sepse kam thënë çfarëdo kërkese duhet ta ketë formën e principit. Jo të thuash unë po dua! Ti po don po nuk bëhet”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Hoti i ka kërkuar Kurtit që ta anulojë marrëveshjen për Asociacionin.

“Unë nuk po kërkoj ta zbatosh, po të kërkoj përmbaju deklarimeve dhe qëndrimeve që i ke pas, që i bie sille në Kuvend anulimin e asaj marrëveshjeje”, ka thënë Hoti.

11:38

Kurti: S’mund t’i trajtojmë ambasadorët e QUINT-it si ministra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten në Kuvend se Qeveria e Kosovës nuk mund t’i trajtojë ambasadorët e QUINT-it si ministra, a ata të bëhen zëvendës të tyre.

Kurti gjatë seancës së Kuvendit, ka thënë se bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë ekziston dhe se as ata nuk duan që të trajtohen si ministra.

“Vazhdimisht jemi në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë. Por ju duhet ta kuptoni, edhe ata presin të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorë të QUINT-it por ata s’behën dot ministra. Ministrat vijnë e shkojnë por shteti mbetet. Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarët nuk mund të jetë në mënyrën që ne t’i trajtojmë ata si ministra e ne të bëhemi zëvendësit e tyre sepse as ata nuk e duan këtë gjë. Jemi në një fazë të ndjeshme por edhe progresive në kuptimin demokratik e civilizues të falës”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Policia e Kosovës kurrë nuk është e nxitur kundër serbëve, duke shtuar se ajo ka konsideratë shtesë ndaj tyre, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve.

“Këto nuk janë vendime e veprime politike por janë shtetërore që i parasheh Kushtetuta e ligji në shërbim të të cilit jemi të gjithë”, ka shtuar ai.


Aliu: Vetëm moti i ligë mund t’i ndalë projektet në veri të vendit

Ministri i Infrastrukturës, Luburn Aliu ka thënë se vetëm moti i keq ose koha e pafavorshme mund ta ndalë realizimin e projekteve në katër komunat veriore.

Ai ka thënë të premten në seancën e Kuvendit të Kosovës, se komunat në atë pjesë kanë refuzuar të bashkëpunojnë lidhur me infrastrukturën atje.

Duke iu përgjigjur deputetes Ganimete Musliu, Aliu ka thënë se Qeveria e ka në prioritet realizimin e projekteve infrastrukturore në pjesën e veriore, që sipas tij, disa prej tyre kanë përfunduar.

“Atë që mund të ndal këto ditë, mund të jetë eventualisht prishja e motit. Por, përderisa do të ketë vazhdim të punimeve në ditët në vijmë do të kryhet edhe ajo pjesë. Po ashtu janë edhe projekte të tjera të cilat janë në pjesën veriore që janë kryer me suksese gjatë këtyre ditëve. E imja është që të bëjë këtu një zotim që të kemi në prioritet dhe në baza ditore interesohemi dhe të shohim progresin këtyre projekteve në pjesën veriore në të dyja anët, edhe në pjesën nga Zubin Potoku dhe në pjesën tjetër nga Zveçani dhe Leposaviqi”, theksoi ai./ksp

 

11:10

Berisha – Kurtit: Nuk po i dëgjon këshillat prej ndërkombëtarëve

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se kryeministri nuk po i dëgjon këshillat e ndërkombëtarëve.

Bërisha i ka thënë kryeministrit Albin Kurti që të mos i rrezikojë policët e zyrtarët me “insistimin” që ta tensionojë situatën.

“Këshillat kryeministër që i ke ndërmarrë prej ndërkombëtarëve nuk po i dëgjon para se të bëhet dëmi por pasi po bëhet. Insistimi për ta tensionuar situatën kjo shkon në favor të Serbisë. Çdo tensionim i mëtutjeshëm ka për qëllim kthimin e rezolutës 1244. Mos i rreziko policët as zyrtarët e KQZ-së”.

Berisha ka thënë se është dashur të tregohet kujdes, ndërsa ka shtruar pyetjen ndaj Kurtit se nëse situate tensionohet më shumë dhe vritet një polic, çfarë do të bëjë ai.

“Unë e di që kryeministri është njëri paqësor e i lapsit. Zgjidhe problemin me dije. A sa i përket shtrirjes së sovranitetit se Serbia po e rrezikojka Kosovën edhe këtë e di. Mos t’ish kanë ky deputeti këtu unë nuk isha frikësuar shumë. Po pasi ky po me tregon se si shtrihet sovraniteti po shqetësohem më shumë për veri. Çka nëse vritet ndonjë polic a keni me dhënë ndonjë shpjegim apo keni me ik krejt”.

Për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, ka thënë se duhen arrestime dhe dorëheqje.

“Për rastin Dehari. Nuk mjafton suspendimi i atyre zyrtarëve ata duhet të arrestohen dhe duhet dorëheqje emergjente. Duhet të dihet çka ka ndodhë aty”.


Tahiri: Veriu s’duhet të jetë temë diskutimi në tavolinën e Brukselit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dënuar sulmin ndaj policit mbrëmë në veri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në deklarimet jashë rendit të ditës në Kuvend, ka thënë se Qeveria duhet të ketë strategji për trajtimin e situatës në atë pjesë të Kosovës.

“Si GP i PDK-së e dënojmë ashpër sulmin ndaj policit të Kosovës që ndodhi mbrëmë. I dëshirojmë shërim të shpejtë. Ky angazhim i policisë ndodhi si rezultat i caktimit të datës së zgjedhjeve. Kemi pasur angazhim të forcave të rendit. Por tashmë edhe kemi konfirmimin zyrtarë të bandave kriminale në veri. Qeveria nuk duhet të ndërmarrë hapa sporadikë. Duhet të ketë strategji për trajtimin e kësaj zone. Përderisa sulmohen policët, institucionet e Kosovës, nuk mund të bëjmë veprime ad-hoc, duhet të kemi strategji për t’i larguar këto banda”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka deklaruar se nevojitet koordinim me SHBA-në, ndërkohë ka theksuar se veriu nuk duhet të jetë pjesë e diskutimit në Bruksel.

“Jemi të shqetësuar me gjendjen në atë pjesë të territorit të Kosovës. Na duhet koordinim i madh me SHBA. Nuk duhet të lejojmë që kjo pjesë e territorit të jetë në diskutim në tryezën në Bruksel. Kemi punuar shumë të gjithë së bashku që t’i instalojmë institucionet tona në atë pjesë të Kosovës, Serbia gjithmonë e ka kundërshtuar këtë. Qeverisë i bëjmë thirrje të ketë strategji për secilin veprim që do ta ndërmarrë në atë pjesë të vendit”.


VV-ja thërret për bashkim, Abrashi: Nuk duhet të dorëzohet veriu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës që të jenë bashkë për t’i dënuar sulmet në veri të vendit.

Abrashi, në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancen plenare të Kuvendit, ka thënë se veriu nuk duhet të dorëzohet. 

Ai ka shtuar se veprimet e dhunshme po ndodhin pas kërcënimeve të presidentit serb dhe se në veri ekziston ndarja në banda dhe qytetarë.

“Në kohën kur po bëhen përgatitje për zgjedhjet në veri institucionet tona janë përballur me sulme të vazhdueshme. Dje në krye të detyrës është plagosur një polic. Të mërkurën në lagjen e boshnjakëve është raportuar se janë hedhur dy shok bomba. Të gjitha këto akte u bënë pas kërcënimeve të vazhdueshme të presidentit të Serbisë. Në katër komunat në veri nuk është ndarje në serbë dhe shqiptarë por në banda dhe qytetarë. Kriminelëve po ju pengon se ata nuk duan të luftohet krimi e kontrabanda. Por gjërat po ndryshojnë. Kriminelëve po u ngushtohet hapësira, kontrabandistëve po u mbyllen rrugët. Deputetë duhet të jemi të bashkuar për t’i dënuar këto sulme. Nuk duhet të dorëzohet Kosova, nuk duhet të dorëzohet veriu. Kush qëndron fiton. Qëndresa e institucioneve tona tashmë është imperativ i kohës”, ka theksuar ai.