Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj, deklaroi se nëse nuk mbahen zgjedhjet më 18 dhjetor në veri, i bie që kryeministri Albin Kurti, e ka dorëzuar këtë pjesë të Kosovës.
Ai deklaroi në “Sonte me Rronin” të KTV-së të mërkurën se zgjedhjet medoemos duhet të mbahen në veri, pasi sipas tij, ka kohë që deri më 18 dhjetor, të gjendet një zgjidhje.
“11 ditë janë të mëdha. Kjo kohë duhet të shfrytëzohet që të ulet Kurti me Escobarin dhe Lajçakun dhe të gjendet një zgjidhje. Nëse nuk mbahen zgjedhjet, do të shkelet Kushtetuta. Nëse nuk mbahen zgjedhjet i bie që Kurti e ka dorëzuar veriun”, deklaroi Nikaj.
Sipas Nikajt, situata në veri të Kosovës është brengosëse, e për këtë, ai fajtor e la kryeministrin Kurti, pasi siç theksoi ai, situata ka mund të shmangej, nëse do të mirëmbahej paqja.
“Është brengosëse që këto skena janë kthyer në veri, nuk janë skena që do të duhej t’i shihnim në 2022. Kjo situatë ka qenë e shmangshme, ka ekzistuar një paqe në veri rreth institucioneve të krijuara me shumë mund. Një paqe e brishtë ka ekzistuar në veri. Të mirëmbahet ajo paqe dhe të zhvillohet në drejtim pozitiv, ka qenë ideja e qasjes edhe e partnerëve edhe e skenës politike. Situata në veri është kthyer shumë vite pas, këto ngjarje po e trazojnë situatën e përgjithshme në vend”, tha ai.
Anëtari i Kryesisë së partisë në opozitë theksoi se aktualisht në veri të vendit nuk po zbatohet rendi dhe ligji.
“S’ka pasur iluzion që serbët janë pjesë e institucioneve nga dëshira e tyre. Mjeshtëria e mbajtjes së kësaj situate është të mos krijohet një situatë që t’iu jepet një shkas që të dalin serbët nga institucionet. Rendi dhe ligji zbatohet janë stacioneve policore në veri. Situata në veri në këtë moment është më e disfavorshme, sesa siç ishte një muaj më parë. Ne nuk shohim asnjë arsye që të shtyhen zgjedhjet në veri. Me doemos duhet të mbahen zgjedhjet”, u shpreh ai.
Nikaj: Nuk ka gjasë që një formë e Asociacionit të mos implementohet
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj, ka thënë se me këtë inercion, veriun po e merr Serbia.
Ai ka thënë se Qeveria nuk ka konsistencë në dialogun Kosovë-Serbi, derisa ka shtuar se nuk ka gjasë që një formë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të mos implementohet.
Sipas tij, situata aktuale është më keq se sa ideja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Ka shtuar se situata në veri është më e pafavorshme sesa ajo që ka qenë një muaj më parë.
Nikaj ka shtuar se PDK-ja po bëhet gati që të garojë në katër komunat e veriut, duke shtuar se nuk ka arsye për mosmbajtje të zgjedhjeve.
“Opozita aktuale i kanë ofruar aq shumë hapësirë kryeministrit që ta bëjë punën dhe ta përfundojë këtë proces sa një përkrahje të tillë nuk e ka pasur asnjëherë qeveria. Pozicioni i PDK-së është konsistent sa i përket dialogut. Kur ka pasur momente të vështira jo vetëm që kemi shkuar në takim, por edhe vet kemi ftuar takime. PDK-ja nuk e ka ftuar asnjëherë kryeministrin në interpelancë për dialogun. Ne jemi kritikuar në diskursin publik për një qëndrim kaq të butë”, ka thënë ai.
Nikaj ka thënë se çështja e targave nuk është zgjidhur, por sipas tij, është pauzuar.
Ai ka thënë se nuk sheh ndonjë situatë që ndonjë formë e asociacionit nuk do të implementohet.
Sipas tij, një version i asociacionit do të implementohet gjithsesi.
Ka shtuar se Qeveria po ndërton kauza, për ata që kërkojnë kauza në veri.