Arbëri

Ambasadori francez për ngjarjet e fundit në veri: Shumë shqetësuese, dialogu mënyra e vetme para

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku pati shpërthime e të shtëna të martën, janë shumë shqetësuese.

Guerot në një postim në Twitter ka thënë se “dialogu është e vetmja rrugë para”.

“Aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese. Dialogu është rruga para”, ka shkruar Guerot në Twitter.

Të martën janë hedhur shok-bomba e po ashtu ka pasur të shtëna, ndërsa zyrtarët e KQZ-së nën përcjelle të Policisë së Kosovës kanë tentuar të qasen në zyrat e komisioneve komunale zgjedhore.

Ndaj ngjarjeve kanë reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dhe ai gjerman Jorn Rohde.

Hovenier ka thënë se momentalisht nuk janë kushtet për të organizuar zgjedhjet në komunat veriore, ndërsa Rohde ka thënë se përkrah plotësisht protestat paqësore, porse ka “zero tolerancë për dhunën”.