1 perditesime
11:31

Kuvendi mban të enjten seancë të jashtëzakonshme për masat për energji

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deklaroi se gjatë kësaj jave Kuvendi do të mbajë tri seanca, ndër to edhe seancë të jashtëzakonshme për vendimin për masat emergjente për energji.

“Të enjten do të kemi një seancë të jashtëzakonshme, , pastaj do të kemi, po në të njëjtën ditë vazhdimin nga pikat e papërfunduara dhe të premten seancë plenare. Mendoj që është e rëndësishme që të thuhet për publikun, që në seancën e të premtes, në seancën plenare, do të kemi dy çështje shumë të rëndësishme. E para është themelimi i komisionit për vettingun dhe pika tjetër është Projektligji për pagat për zyrtarët publikë. Pjesa tjetër janë projektligje dhe vendime të Kuvendit, zgjedhjeve të organeve të pavarura e kështu me radhë.”, u shpreh ai.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Rrustemi tha se aspekti unik i Kosovës duhet të jetë unik.

“E kemi thënë në vazhdimësi, kur bëhet fjalë për dialogun politik me Serbinë, aspekti politik i Kosovës duhet të jetë unik, nuk duhet të ketë dallime natyrisht, duhet të kemi qëndrim të përbashkët, si shtet i Kosovës, si Republikë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë, asnjë diskutim. Mendoj që ka pasur takime të liderëve me kryeministrin, do ketë komunikim të vazhdueshëm dhe të kemi një qëndrim si shtet në lidhje me këtë çështje.”, tha ai.

Deputeti i VV-së potencoi se projektligji për pagat, por edhe ai për zyrtarët publikë janë dy projektligje tejet të rëndësishme, të diskutuara në publik, të pritura nga zyrtarët publikë.

“Është punuar gjatë nga Qeveria e Kosovës, ka pasur konsultim publik me akterë të ndryshëm për të dhënë komentet dhe vërejtjet. E konsiderojmë që shumë me rëndësi që të miratohet sa më parë, të ketë një qasje efikase nga ana e Kuvendit. Prandaj, u rëndit si pikë në seancën e të premtes, madje u rëndit ndër pikat e para, sepse seanca e së premtes është jashtëzakonisht e ngarkuar me mbi 30 pika. Kështu që, po e shoh mundësinë në këtë muaj të kalojë në lexim të parë dhe pastaj komisionet ta trajtojnë në mes të dy leximeve, që sa më të miratohet dhe të hyjë në fuqi.”, shtoi ai

10:38

Të premten seanca e Kuvendit, në rend dite Ligji i pagave dhe ai për zyrtarët publikë

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të martën është diskutuar për seancën e re, e cila do të mbahet të premten.

Tahiri u shpreh se në seancën e së premtes do të jenë shumë pika, ndër to, Ligji i pagave dhe ligji për zyrtarët publikë.

“Seanca është caktuar për të premten. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kjo është ndër seancat më me rëndësi për shkak se në trajtim vjen ligji i shumëkërkuar, Ligji i Pagave, i cili fatkeqësisht e ka emrin Ligji i Pagave, po nuk dihet se është rroga e një zyrtari publik, për shkak se nuk ka as koeficient e nuk ka as vlerë as koeficient. Po ashtu, në këtë seancë do të vjen edhe Ligji për Zyrtarët Publikë, që për mua personalisht, ai ligj nuk është Ligji për Zyrtarët Publikë, por është ligji për kapjen e zyrtarëve publikë, për shkak se interferohet drejtpërdrejt në kundërshtim me Bashkimin Evropian dhe sigmën në sistemin e meritokracisë, pra dora politike, po zgjatet shumë në kapje të zyrtarëve publikë. Po ashtu, janë edhe disa ligje tjera që janë në plotni, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Tahiri.