Arbëri

McKee: Partneriteti i SHBA-së me Kosovën është më i fortë se kurdoherë

Descriptive Text

Miqësia dhe partneriteti i SHBA-së me Kosovën nuk do të jetë 10 apo 20 vjet, por 100 vjet e për shumë gjenerata, ka thënë ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee.

Të hënën në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ambasadorja McKee ka treguar për vizitën në Kosovë dhe takimet që ka pasur me drejtuesit e institucioneve të shtetit dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

“Ishte e mrekullueshme të takohem si me kryeministrin e po ashtu me presidenten. Mendoj se këto takime janë përgjigje të pyetjes suaj se si është partneriteti sot mes Kosovës dhe SHBA-së. Është shumë i fortë dhe më i fuqishëm se kurdoherë. Mendoj se siç e dini, SHBA-ja është e përkushtuar në partneritetin me Kosovën për të ndërtuar një demokraci më të fortë, një ekonomi më vibrante, siguri energjetike, siç po ashtu, shpresë dhe mundësi më të mira për të ardhmen për të rinjtë, e po ashtu çdo anëtar të shoqërisë kosovarë”, është shprehur McKee

Ajo ka theksuar se në krye të agjendës është që të sigurohemi që të kemi rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. “Kryeministri dhe presidentja e rikonfirmuan këtë mëngjesin e sotëm. Dhe në fakt, presidentja ndau me mua brengën e saj të madhe dhe fokusin e madh në pjesëmarrjen e grave në mundësitë ekonomike. Dhe jam e lumtur të ndaj me ju, se USAID, Agjencia ime ka lansuar një program të ri të përqendruar në gratë sipërmarrëse dhe mundësitë ekonomike për gratë. Ishte koha për një program të tillë, më së paku thënë”, ka deklaruar McKee.