Është tërhequr nga gara kandidati i vetëm serb për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Arsenijeviq, i cili ka thënë se këtë vendim e mori sipas vullnetit të tij të lirë.
E në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u tha se procesi zgjedhor në katër komunat e veriut, që do të mbahet më 18 dhjetor, është duke u rrezikuar nga strukturat paralele të Serbisë.
Kritika për mosbashkëpunim në organizimin e zgjedhjeve, kanë adresuar anëtarët e opozitës ndaj institucioneve të nivelit qendror.
Policia e Kosovës ende nuk e ka paraqitur planin operativ për mbrojtjen dhe sigurinë e zyrtarëve të KQZ-së për zgjedhjet e 18 dhjetorit. Stafi i përcaktuar për zgjedhjet në komunat veriore, është duke operuar nga pjesa e jugut.
Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të martën presin përgjigje nga policia.
Kërkesë për t’iu ofruar mbështetje, adresuan edhe te Ministria e Punëve të Brendshme, por thonë se nuk morën përgjigje. E Ministria e Arsimit nuk u gjeti zgjidhje për shfrytëzimin e objekteve të institucioneve arsimore në ditën e zgjedhjeve. Kjo ministri në përgjigjen e saj e këshilloi KQZ-në që të koordinohet me autoritetet lokale në veri.
Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë kanë marrë vendim që të braktisin institucionet e Kosovës, pas suspendimit të drejtorit të Policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq, cili refuzoi të zbatoi vendimin e Qeverisë për targat ilegale të Serbisë. Dorëheqje dhanë edhe kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në mbledhje, po ashtu u kërkua që të hiqen nga lista e pagave zyrtarët serbë që e kanë braktisur KQZ-në.