Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se eliminimi i dhunës është detyrim i secilit individ, derisa bëri thirrje që viktimat e dhunës, të mbrohen dhe të përkrahen institucionalisht.
Ai deklaroi të hënën në lansimin e protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës se ka raste kur institucionet nuk merren konkretisht me rastet e dhunës, por i neglizhojnë ato.
“Ka raste kur institucionet i hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e dhunës, kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Në rastet e paraqitura, institucionet s'i kanë kryer rastet, duke i lënë pa trajtim rastet e viktimave...Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç, e i neve të gjithëve së bashku. Viktimave iu takon përkrahja institucionale, përkujdesje adekuate shëndetësore e psikologjike”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, prokuroritë e gjykatat duhet të dëshmojnë përkushtimin e ri për trajtimin e rasteve të dhunës. Ai shtoi se dhuna është çështje e sigurisë dhe mirëqenies, e jo private dhe familjare.
Të mërkurën është vrarë një 35-vjeçare shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Vrasja dyshohet që u krye nga ish-bashkëshorti i saj.
Haxhiu: Janë rritur rastet e dhunës seksuale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale është një nga dokumentet më të rëndësishme që ka hartuar Ministria e Drejtësisë.
“Të dhënat tregojnë që ka një numër të madh të rritjes së dhunimeve seksuale. Nga viti 2019 deri në vitin 2021, janë 311 raste të ekzaminimit të mjekësisë ligjore”, tha Haxhiu.
Shefi i misionit të Eulex-it të Kosovë, Lars Gunnar Wigemark tha se 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale të raportuara kanë qenë gra nën moshën 18-vjeçare.
“Për shkak të stigmatizimit meshkujt nuk duan që të raportojnë këtë. Dhe sidomos grupi LGBTI hezitojnë. Ky protokoll tregon përkushtimin e qeverisë, për t’i drejtuar këto viktima në mënyrë të duhur sa i përket drejtësisë”, theksoi ai./ksp