Arbëri

​Kurti: Buxheti 2023 s’do të jetë si dikur shumë për disa, por do të jetë shumë për të gjithë

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti derisa ka prezantuar buxhetin për vitin e ardhshëm në Komunën e Gjakovës, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë më kufizim në numër, e të drejt aplikimi do të kenë të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç.

Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjatë prezantimit të buxhetit, tha se buxheti i vitit 2023 kap vlerën prej 3 miliardë e 212 milionë euro që është 8.7% apo 220 milionë euro më shumë se sa ai i vitit 2022.

“Të hyrat pritet të jenë 2.88 miliardë euro e që janë 18.7 më shumë se në këtë vit. Vlera për investime kapitale mallra dhe shërbime do të arrijë 1.3 miliard euro dhe kjo do të kontribuojë edhe në shtimin e aktivitetit biznesor por edhe në rritje e zhvillimin ekonomik. Mandej , buxheti për subvencione dhe transfere, pra kryesisht për programe të barazisë sociale parashihet të jetë 1.1 miliard....jemi siguruar që buxheti për vitin e ardhshëm në vend që të jetë shumë për disa, siç ka qenë mbase në të kaluarën, do të jetë shumë për të gjithë dhe do të përfshijë më shumë për shëndetësi, profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se për vitin në vijim shëndetësia do të ketë 2.96 milionë euro apo 15 % më shumë sesa buxheti i rishikuar për vitin aktual dhe gjithashtu, 60 milionë euro apo diku rreth 20 % të totalit të sektorit të shëndetësisë, do të jenë për barna esenciale.

Ai tutje ka shtuar se krahas rritjes së buxhetit e kanë planifikuar edhe rritjen e numrit të stafit mjekësor, duke theksuar se janë shtuar 400 pozita gjithsej prej të cilave 100 në nivelin qendror e 300 në nivelin lokal.

Sipas tij, për vitin e ardhshëm buxhetin për arsim do të jetë 12 për qind më shumë se këtë vit.

“123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin tjetër. Këtë vit buxheti për mbrojtje për herë të parë ishte mbi 100 milionë euro dhe ishte rreth 52 % më shumë sesa vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për buxhetin e ndarë për komuna

“Buxheti për vitin 2023 për Gjakovën parashihet të jetë 31 milionë e gjysmë euro, prej të cilave 36 % janë për investimet kapitale, pra më shumë se një e treta janë për investime kapitale. Projekti më i madh do të jetë për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë për çka janë ndarë me 11 milionë“, tha ai, derisa shtoi se 2.5 milionë euro janë ndarë për arsim dhe 1 milion euro për sport dhe kulturë.

Ai tha se për Universitetin e Gjakovës do të ndajnë 1.2 milionë euro, sipas tij kjo do të vazhdojë edhe për dy vjetet tjera pas vitit 2023./ksp