Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka premtuar Komitetit Paralimpik mbështetje për sportistët të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.
Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Paralimpike.
Të shtunën, Osmani ka takuar këtë komitet në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Sipas njoftimit të Komitetit, Osmani ka deklaruar se kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie nuk duhet të fokusohet në një ditë të vetme, por gjatë gjithë vitit. Ajo, sipas njoftimit, këtë vit premtoi të ndajë 100 mijë euro shtesë subvencione vetëm për organizatat e personave me aftësi të veçanta.
“Takimet e kësaj natyre konfirmojnë gatishmërinë institucionale për të trajtuar kërkesat e personave me aftësi të kufizuara në këtë rast parasportistët, duke u mundësuar atyre gjithëpërfshirje dhe angazhim në sportin paralimpik”, thuhet në njoftim.