Arbëri

Haxhiu – Prokurorisë: Përndjek aktivistët e toleron kriminelët e të korruptuarit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj mbajtjes nën arrest për 48 orë të aktivisteve Neri Ferizi dhe Anita Mjeku të cila u arrestuan të enjten gjatë protestës kundër vrasjes së grave.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka kritikuar Prokurorinë, duke thënë se po i toleron kriminelët e të korruptuar, ndërkaq po i përndjek aktivistët.

Sipas saj, aktivistët kanë të drejta dhe liri të plota për të protestuar.

“Prokurori që përndjek aktivistët dhe toleron kriminelët e të korruptuarit. Aktivistët kanë të drejtat dhe liritë e plota qytetare për të protestuar ndaj çdo institucioni”, ka shkruar Haxhiu.

Në protestën e organizuar pas vrasjes së gruas shtatzënë nga ish-burri i saj janë arrestuar aktivistet Ferizi e Mjeku.

Ato u arrestuan nën dyshimin se kanë hedhur mjete zjarrvënëse në drejtim të objektit kryesor të Qeverisë së Kosovës.