Arbëri

“Model presidencial” për zgjedhjet lokale

 

Opsione që shmangin zgjedhjet e shpeshta të jashtëzakonshme në nivel lokal, janë propozuar në kuadër të diskutimeve për përmirësimin e procesit zgjedhor. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka rekomanduar që në zgjedhje lokale të garojnë bashkërisht kryetari dhe nënkryetari i komunës në një pako. Nga propozimet tjera, është kërkuar që votimi jashtë vendit të mos vlejë edhe për zgjedhjet lokale. E BE-ja vazhdon të insistojë që të adresohen vërejtjet e dhëna ndër vite në funksion të përmirësimit të zgjedhjeve

Boshllëku institucional që krijohet në rastet e largimeve të parakohshme të kryetarëve të komunave deri në zgjedhjet e reja, synohet të adresohet në kuadër të ndryshimeve të ligjit për zgjedhje. Ky opsion është pjesë e Koncept Dokumentit për Zgjedhje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dikaster ky që mbikëqyrë nivelin e pushtetit lokal. Ndryshe nga qeveria qendrore ku administrata udhëhiqet nga një sekretar i përgjithshëm që garanton vazhdimësinë e punës pavarësisht ndryshimeve të pushtetit politik, në nivelin lokal një mundësi e tillë nuk është në dispozicion të plotë. Një situatë e tillë u krijua pas dorëheqjes së parakohshme të katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, në të cilat do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Mundësia që në zgjedhje lokale të garojnë bashkërisht kryetari dhe nënkryetari i komunës në një pako, ofrojnë zgjidhje të pranueshme për të shmangur zgjedhje të jashtëzakonshme në rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit para kohe. Kësisoj, nëse pozita e kryetarit mbetet vakante, detyrat dhe funksionet e kryetarit ushtrohen nga nënkryetari i komunës. Opsione të ngjashme ligjore duhet të shmangin zgjedhje të shpeshta të jashtëzakonshme, dhe të garantojnë stabilitetit institucional të komunave”, shkruan në koncept dokumentin e MAPL-së.